E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i OSBE: Presidenti i ri të zgjidhet me konsensus

Pas takimit me Avokatin e Popullit, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth deklaroi se një konsensus i ngjashëm mund të gjendet edhe për zgjedhjen e presidentit të ri

TIRANË Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth mbështet idenë e zgjedhjes së një presidenti konsensual. Pas takimit të zhvilluar dje me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, ambasadori i OSBE-së tha për mediat se Presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhet me konsensus sa më të gjerë, teksa mori si shembull zgjedhjen e Avokatit të Popullit. “Ajo që është shumë e rëndësishme për të shtruar rrugën drejt integrimit europian është konsensusi, të folurit me njëri-tjetrin, dhe ja tek jemi sot këtu tek institucioni i Avokatit të Popullit. Kjo tregon se konsensusi është jo vetëm i mundur, por edhe se me konsensus Shqipëria ecën përpara”, - tha Wollfarth. Duke iu drejtuar Avokatit të Popullit që ndodhej pranë tij pas takimit, ambasadori i OSBE-së shtoi se “zgjedhja me 127 vota për ju, z. Totozani, është tejet e rëndësishme, tejet inkurajuese dhe shpresoj gjithashtu që do t’i japë një shtysë të fortë kauzës së të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës. Shpresoj që një konsensus i ngjashëm, mbase jo aq i lartë, por një konsensus i ngjashëm të mund të arrihet kur të gjendet kandidati apo kandidatët për president”. I pyetur më tej nga media se, a mund të gjendet një konsensus i ngjashëm edhe për Presidentin, ambasadori i OSBE-së u përgjigj: “Viti sapo ka filluar, zgjedhjet janë në korrik, Kushtetuta është aty, dhe ka kohë të mjaftueshme për të diskutuar. Prandaj le t’ia kushtojmë ditën e sotme Avokatit të Popullit. Do të thosha që ky është vërtet një hap i madh për qytetarët shqiptarë dhe gjithashtu për integrimin europian”. Për pasojë, ambasadori Wollfarth u fokusua tek roli që ka Avokati i Popullit. “Është një kanal tjetër që i shtohet kanalit që qytetarët tashmë kanë në parlament, kanali për të gjetur të drejtën e tyre përpara autoriteteve, kur qytetarët kanë bindjen e bazuar se nuk janë trajtuar në mënyrë të drejtë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e mandatuar për ta mbështetur Shqipërinë për të pasur të drejta të njeriut të plota dhe një shtet të së drejtës së plotë, dhe zyra e Avokatit të Popullit dhe vetë Avokati i Popullit janë pikënisje të rëndësishme. Më vjen shumë mirë që tashmë e shohim Shqipërinë në pozitën që është plotësisht e pajisur në këtë drejtim...”, - tha ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›