E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami: Ushtria ndërton mbi shkatërrimin, demontimi i armëve sjell edhe vepra arti

25-11-2012 / Gazeta 55

Projekti i Ministrisë së Mbrojtjes “Në shërbim të hapësirave publike”, në Shkodër

Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me bashkinë e qytetit të Shkodrës zhvilluan aktivitetin për projektin “Në shërbim të hapësirave publike”, ku disa vepra artisitike janë realizuar me materialet e nxjerra nga procesi i demontimit të municioneve të tepërta. Nga predhat e Luftës së Ftohtë janë krijuar dy vepra: “Lulet e Dritës dhe Paviglioni i Dashurisë, për një kohë paqeje, të konceptuara nga artistë të njohur amerikanë: Prof. John Bouman, Prof. Ann Sholstrom, Prof. Vard Shelley dhe Helen O’Leary në bashkëpunim me një grup artistësh shqiptarë dhe nën kujdesin e posaçëm të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka.
Më pas ministri Imami, duke marrë fjalën në këtë ceremoni u shpreh se ky projekt e ka zanafillën, “në verën e vitit 2010, pasi punët e mira duan kohë dhe mendoj se i kemi kushtuar kohën, mundin, dedikimin e një grupi shumë më të madh njerëzish sesa janë rreshtuar këtu sot, njerëz që kanë punuar me përkushtim me inteligjencë, talent dhe kreativitet të lartë”.
Ndër të tjera ministri Imami theksoi se, procesi i demontimit të municioneve në mesin e vitit 2012 ishte i sigurt që do të shkonte me atë ritëm drejt fundit në vitin 2013.
 “Mirë që po shkatërrojmë po a do të jemi të aftë të tregojmë që FA tona të mund të ndërtojnë mbi shkatërrimin? A mundet që mbi predhat e Luftës së Ftohtë të krijohen Lulet e Dritës dhe Paviglioni i Dashurisë për një kohë paqeje, për një kohë lirie. Ne filluam bashkëpunimin me një grup artistësh shqiptarë, si dhe ftuam disa profesorë të universitetit të Pensilvanisë që erdhën në dimrin e vitit 2010-2011 dhe vendosëm që t’i sjellim në Shkodër. U zgjodh Shkodra për vendosjen e këtyre veprave, u shpreh ministri Imami,  sepse është një qytet me tradita dhe shtresa mijëvjeçare kulturore. E sollëm në Shkodër për të bërë pikërisht këtë ballafaqim të lashtësisë së kësaj kryeqendre mijëvjeçare të shqiptarëve dhe të ilirëve me një vepër moderne. Prandaj dhe unë jam shumë i lumtur që kjo bëhet në Shkodër. Jam i lumtur gjithashtu sepse i gjithë serioziteti, përkushtimi, talenti i kryetarit të Bashkisë, Lorenc Luka, i Këshillit Bashkiak dhe i qytetarëve të Shkodrës është për ta ruajtur këtë qytet të bukur dhe të mrekullueshëm. Gjithashtu për këtë patëm mbështetjen e plotë të deputetëve shkodranë dhe personalisht  të kryeparlamentares Jozefina Topalli për çka edhe ju falënderoj”, u shpreh më tej ministri Imami.
Në fund të fjalës së tij ministri Imami falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në këtë punë të madhe, veçanërisht përfaqësuesin e OSBE-së në Tiranë për të gjithë mbështetjen që OSBE ka dhënë që për realizimin e këtyre veprave artistike me pjesë nga predhat e mortajave që u demontuan. Gjithashtu ai ka falënderuar SHBA për gjithë suportin që i kanë dhënë procesit të demontimit të municioneve të tepërta dhe në veçanti për realizimin e kësaj vepre, e cila, siç theksoi  Imami, është një vepër e përbashkët e pedagogëve dhe artistëve të universitetit të Pensilvanisë dhe Akademisë së Arteve të Bukura këtu në vendin tonë. 
E pranishme ne këtë ceremoni përurimi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e falënderoi në mënyrë të veçantë ministrin e Mbrojtjes Imami për këtë dhuratë që i kanë bërë Shkodrës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.
“Çdo vepër arti është e bukur është një vlerë më shumë, theksoi Topalli, por shndërrimi i armëve të shkatërrimit në vepra arti është diçka shumë e veçantë. Prandaj dhe për këtë një falënderim shumë i sinqertë i shkon artistëve që kanë punuar me aq dashuri dhe me aq pasion për të bërë një vepër të tillë”.
Më pas, Jozefina  Topalli ka nënvizuar vlerat e Shkodrës, duke theksuar se, “ky qytet ka lindur për të bërë art, ku qytet jeton për artin dhe ka lindur artin. Shkodra ka nxjerrë njerëzit më të mëdhenj të historisë, luftëtarë, ideologë, njerëz të mëdhenj të muzikës, kulturës, sportit,  letërsisë,  artit, fotografisë, është shprehur ndër të tjera ajo”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›