Listat zgjedhore pa dublime, ky proces është solid
Flet Ferdinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm
Ministria e Brendshme ka pasqyruar informacionin faktik që gjendet në Regjistrin Kombëtar të Shtetasve, për lëvizjen demografike të popullsisë në çdo njësi të qeverisjes vendore.
Në një prononcim për mediat, zëvendës ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, përjashton mundësinë për ndërhyrje sikurse pretendon opozita. “Ne themi vetëm atë që ka regjistri, nuk ka rrugë tjetër ajo do të thuhet. Sa herë të na pyesin ne, në këtë variant që është ndërtuar thonë sa është numri i popullsisë në çdo njësi vendore dhe në momentin e caktuar. Ky është pasqyrimi rigoroz i situatës nuk ka vend as për aludime, as për ndërhyrje, është e pamundur regjistri pasqyron sa është situata në atë kohë”, theksoi Ferdinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm.
Ndërsa ka nisur puna për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Poni garanton se lista e zgjedhësve nuk do të këtë asnjë dublim. Ministria e Brendshme dhe ekspertë të opozitës po hartojnë një udhëzim, për njësitë e qeverisjes vendore për pastrimin e bazës së të dhënave në regjistrin e shtetasve.
“Ky proces është jashtëzakonisht solid, por pse vazhdohet puna është një konsolidim i arritjeve që kemi. Nuk ekzistojnë në bazën tonë të të dhënave dublime për të cilat kemi dijeni. Sapo marrim dijeni, sapo prodhohet, gjenerohet një dyshim për dublime ne ua dërgojmë zyrave të gjendjeve civile për të kryer procedurat për të cilat kemi rënë dakord, të gjithë kanë të njëjtën mirëkuptim, të gjitha palët, që kështu pastrohen”, theksoi Poni. Lista paraprake e zgjedhësve do të publikohet menjëherë pasi të dalë dekreti i Presidentit për datën e zgjedhjeve.
Ajo do të shihet në nivel lokal dhe do të kontrollohet çdo 30 ditë. Lista gjenerohet nga regjistri kombëtar i shtetasve dhe përditësohet nga nëpunësit e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore.