E Diel, 1 Nëntor 2026

Imazhi i Neverisë

Nëse avokati Musa Dragusha vendos të paraqitet në seancën gjyqësore në cilësinë e avokatit mbrojtës të Albin Kurtit, atëherë atij i duhet së paku një çadër shiu. Jo për shkak të reshjeve, por në rast se ai pranon të mbrojë Albin Kurtin, mbi të ka mundësi të bien vezë të prishura. Kjo për faktin se reshjet e vezëve mbi të, i përjetoi të enjten, kolegu i tij, Avni Gjakova. Ky i fundit, deri në këtë ditë kishte pranuar të jetë avokat mbrojtës i Albin Kurtit.

Mirëpo, reagimi i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët hodhën vezë mbi avokatin Gjakova, në momentin kur ai po hynte në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për t’u paraqitur në seancën e paralajmëruar për “rastin Kurti”, bëri që ai të ndryshojë mendje për atë që po bënte. Kështu, edhe ai sikurse kolegët e tij më parë, vendosi të japë dorëheqje nga mbrojtja e Albin Kurtit, edhe pse ishte caktuar me detyrë zyrtare.

Veprimin e aktivistëve të Vetëvendosjes, avokati Avni Gjakova thotë se nuk e ka marrë si gjest vandal, por se, sipas tij, është gjest i pamatur i të rinjve të frustruar.

“Unë nuk do ta quaja akt vandal. Ata të rinj janë bijtë dhe bijat tona dhe atë gjest e kanë bërë për shkak të frustrimit”, thotë avokati Gjakova për Express. “Ishte një gjest i pamatur që i kishte kaluar pak kompetencat. Mirëpo, unë them se ne na duhet qetësi, kujdes dhe vetëm punë”, thotë avokati, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nga detyra e ngarkuar. Por menjëherë është gjetur zëvendësi i avokatit Gjakova. Pak orë pas incidentit të ndodhur, zyrtarët e EULEX-it thanë se si mbrojtës i Albin Kurtit është caktuar sërish Musa Dragusha, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës.

“Avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, z. Avni Gjakova ka refuzuar të vazhdojë që t’i ndihmojë Albin Kurtit dhe është larguar nga gjykata, me çka e ka shkelur detyrën e tij zyrtare”, thotë Kristiina Herodes, zëdhënëse e EULEX-it.

“Gjykatësi kryesues ka vendosur që për mbrojtjen e Albin Kurtit ta caktojë një avokat tjetër, sipas detyrës zyrtare, e ai është z. Musa Dragusha”, tha zëdhënësja Herodes.

Por Dragusha ka qenë edhe një herë i caktuar në këtë detyrë, por nuk ka pranuar të jetë avokat mbrojtës i Kurtit, me arsyetimin se nuk mund të kryejë dy funksione në të njëjtën kohë.

Megjithëkëtë, zyrtarja e EULEX-it ka sqaruar se gjykimi i Albin Kurtit do të mbahet sot (e premte) për në orën 9 e 30 minuta. Kjo për shkak se Kurti nuk u paraqit në seancë as për të gjashtën herë.

Ndërkohë, avokati Musa Dragusha, i kontaktuar nga Expressi, ka thënë se ende nuk ka marrë ftesë zyrtare për të qenë avokat mbrojtës i Albin Kurtit. Ai nuk pohoi dhe as nuk e mohoi nëse do të pranojë këtë detyrë.

“Ende nuk kam marrë ftesë zyrtare, nuk jam i pajisur me shkresat e lëndës. Ende nuk mund të konfirmoj nëse do të shkoj apo jo. Kur ta marr ftesën, atëherë vendosi”, thotë Dragusha për Express.

Sipas tij, sistemi vendor i drejtësisë, i drejtuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), duhet të marrë përgjegjësitë për t’i dëshmuar aftësitë në drejtimin e të gjitha rasteve në Kosovë, si dhe për ta promovuar integritetin e plotë të gjyqësisë në Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër, vendimin për kthimin e sërishëm të avokatit Musa Dragusha si mbrojtës juridik i Albin Kurtit, aktivistët e Vetëvendosjes e quajnë absurd.

“Musa Dragusha në emër të OAK-së, pati dalë kundër trysnisë së EULEX-it mbi avokatin e parë mbrojtës të caktuar, Ramiz Krasniqi. Pas kësaj, EULEX-i e pati caktuar Musa Dragushën për avokat mbrojtës të Albinit”, rikujton Glauk Konjufca, njëri nga drejtuesit e Vetëvendosjes.

“Por Dragusha nuk e kishe pranuar këtë rol. Më pas EULEX-i e caktoi Avni Gjakovën, kurse tash pas dorëheqjes së këtij të fundit, sërish po i kthehet Dragushës. Ky është një vendim absurd i radhës nga ana e EULEX-it”, thotë Konjufca për Express.

Ndërkohë, njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë bastisur të enjten rreth orës 10 selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, në kërkim të liderit të saj, Albin Kurti. Kërkimi policor është bërë edhe në banesën e tij.

Mirëpo, aktivistët e Vetëvendosjes kanë pohuar se Albin Kurti nuk kishte qenë gjatë tërë ditës në Prishtinë, pasi sipas tyre, në këtë ditë ai ka shkuar në Anamoravë.

“Albini nuk është fshehur nga policia, por ka qenë i angazhuar në rajonin e Anamoravës. Ai nuk do të fshihet as nesër, por do të jetë në Prishtinë”, thotë Glauk Konjufca.

Ndërkohë, Konjufca ka paralajmëruar prokurorin vendor të rastit, Ali Rexhën, se nëse do të vazhdojë sërish të bashkëpunojë me EULEX-in, do të mund të pësojë njësoj sikurse avokati Avni Gjakova- mbi të të hidhen vezë të prishura.

“Tash e ka radhën prokurori i rastit, Ali Rexha. Prej kur e ka marrë EULEX-i rastin e Albinit nga UNMIK-u, tre avokatë mbrojtës refuzuan të bëhen vegël e EULEX-it. Kurse Ali Rexha prej fillimit ka qenë shumë i vendosur të bashkëpunojë me EULEX-in deri në fund për këtë gjyq të kurdisur. Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje Ali Rexhës që të mos qëndrojë pas akuzave politike të EULEX-it kundër Albin Kurtit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në seancën e kaluar, avokati Avni Gjakova i kishte bërë një kërkesë Panelit gjykues të EULEX-it, që përbëja e këtij trupi të ishte e gjitha shqiptare. Kryesuesi i Panelit, Ferdinando Buatier de Mongeot, ia kishte përcjellë kërkesën e tij Presidencës së Gjyqtarëve të EULEX-it. Në përgjigjen që kishte kthyer kjo presidencë, kishte specifikuar se kjo është e pamundur sipas ligjit ekzistues, me ç’rast u theksua se përbërja e panelit duhet t’i kishte shumicën e përbërjes ndërkombëtare, sepse rasti i Kurtit është definuar si i ndjeshëm dhe i ndërlikuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›