E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importet vijuan ngadalësimin në qershor

Importet e Shqipërisë ranë me 10.1 për qind në qershor, duke treguar se kërkesa e brendshme në ekonomi ka vijuar të dobësohet, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të përpunuara nga Banka e Shqipërisë. Gjatë qershorit të këtij viti, Shqipëria importoi 267.3 milionë euro mallra, ndërkohë që një vit më parë pati importuar rreth 300 milionë euro. Importet e Shqipërisë filluan të ngadalësohen në muajt e fundit të vitit 2008, ndërsa kaluan në negativ në fillim të vitit 2009. Rënia e importeve në qershor ishte më e forta e shënuar ndonjëherë në Shqipëri dhe u prodhua njëkohësisht si pasojë e rënies së çmimeve të mallrave në tregun ndërkombëtar, por edhe si pasojë e rënies së kërkesës së brendshme. Importi i ushqimeve dhe kafshëve të gjalla u reduktua me 12 për qind gjatë qershorit, ndërsa importet legale të karburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse u reduktuan me 47 për qind. Rënia e importeve të lëndëve djegëse i dedikohet posaçërisht rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Në qershorin e vitit të kaluar, çmimi i naftës në bursën e Londrës pati mbërritur në rreth 140 dollarë për fuçi, ndërsa aktualisht është më pak se 65 dollarë për fuçi.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Shqipëria ka importuar 1.55 miliardë euro mallra, rreth 116 milionë euro më pak nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, eksportet e Shqipërisë kanë rënë me 96 milionë euro, ose me 20 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›