E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohen tre raste të tjera me gripin A

Instituti i Shëndetit Publik ka deklaruar dje zyrtarisht se në vendin tonë janë konfirmuar edhe tre raste të tjera me influencën A. Tipi i këtij virusi ka predispozicion për të qenë grip derri, megjithatë saktësisht kjo do të konfirmohet vetëm pas përgjigjes zyrtare të laboratorit në Rumani. Dje drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ka sqaruar se në laboratorin e ISHP-së rezultatet e analizave të tre kampionëve kanë dhënë përfundimin se bëhet fjalë për grip të tipit "A". Sipas Yllit, të prekurit janë 2 studentë dhe një qytetarë nga Tirana, por specialistët janë në pritje të analizave përfundimtare. Sakaq ka qenë dje dita kur në vendon tonë do të mbërrinin vaksinat e porositura Tamiflu. Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik janë mbi 20 raste që dyshohen për virusin AH1N1 janë duke u analizuar.

Shqyrtimi

"Sot pranë ISHP-së janë duke u përpunuar 20 raste të dyshuar, janë identifikuar rreth tre raste me grip të tipit "A" i cili ka shumë gjasa të jetë virusi i ri me natyrë pandemike, megjithatë duhet të presim konfirmimin përfundimtarë. Bëhet fjalë për dy udhëtarë dhe një banorë i Tiranës", deklaroi Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli. Sipas burimeve të ISHP-së deri dje, do të futej në shqipëri një stok vaksinash prej 1500 paketash. Kjo ka qenë porosia e parë që shteti shqiptar ka bërë rreth 3 muaj më parë.

Specialistët e Shëndetit Publik referojnë se në strategjinë për gripin e derrit AH1N1, mendohet që do të krijohet një rezervë prej rreth 5 mijë dozash Tamiflu. Kjo mendohet se është e mjaftueshme për të përballuar fazën e parë të pandemisë në vend.

"Presim të mbërrijë pranë ISHP-së sasia e parë e Tamiflusë e porositur, ndaj nuk e kemi më imediat çështjen e skadencës të tabletave", tha Ylli. Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të parët që do të vaksinohen kundër virusit AH1N1 janë punonjësit e shëndetësisë, të porteve dhe aeroporteve, punonjësit në institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët, mosha e tretë, fëmijët, gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronik.

Konfirmimi

Rasti i parë i konfirmuar me gripin e ri pandemik AH1N1, është raportuar nga spitali infektiv i QSUT para 10 ditësh. Rasti u identifikua si infeksion nga gripi A dhe u dërgua për konfirmim në laboratorin e referencës.

Shenjat klinike ishin shumë të lehta dhe pas dhënies së ndihmës së parë dhe marrjes së mostrave për diagnozë, rasti nuk u shtrua në spital. Duke qenë se rasti ishte klinikisht mjaft i lehtë nuk i është administruar antivirali tamiflu. Rasti për momentin konsiderohet i shëruar. Është plotësuar skeda përkatëse si për gjithë rastet e dyshuara. Rasti është një student 21 vjeçar nga Gjirokastra, ndërkohë që nuk janë raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojnë rrugën e infektimit. Kjo është një dëshmi e qarkullimit komunitar të virusit të ri pandemik në vendin tonë. Çdo ditë ISHP vijon të përpunojë mostra të dyshuara nga Tirana dhe rrethet.

Tabelë

Shenjat e gripit A/H1N1

Temperaturë e lartë

Të dridhura / ethe

Dhimbje koke

Lodhje

Kollë

Dhimbje fyti

Diarre, të vjella



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›