E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti Meta- Prifti mblidhet sot Këshilli i Rregullores

TIRANE- Këshilli për Rregulloren dhe Imunitetin pritet të mblidhet sot për të përcaktuar procedurën parlamentare për kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të dy deputetëve, Ilir Meta i LSI-së dhe të opozitarit Dritan Prifti.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin kryesohet nga Topalli dhe përbëhet nga 10 deputetë, ( 5 të mazhorancës dhe 5 të opozitës) të emëruar nga Kryetari i Kuvendit, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare.

Sipas nenit 118 të Rregullores, pas përfundimit të shqyrtimit të kërkesës, këshilli brenda harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Më pas kërkesa vendoset në rend të ditës së seancës plenare, ku dhe i jepet fjala dhe deputetit ndaj të cilit është paraqitur kërkesa. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë ajo konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Kjo është hera e dytë në karrierën politike të Ilir Metës që i kërkohet,heqja e imunitetit parlamentar. Në vitin 1992, parlamenti vendosi të hiqte imunitetin e deputetit Ilir Meta, duke e akuzuar atë për përfshirje në revoltat e Çorovodës. Meta asokohe ishte në moshën 22-vjeçare dhe deputet i zonës së Skraparit. Kuvendi votoi pro, por vendimi u atakua në Gjykatën Kushtetuese të saj kohe, e cila pas shqyrtimit e hodhi poshtë. Në atë kohë në pushtet ishet Partia Demokratike.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Meta-Prifti, "Gazeta Shqiptare" publikoi dosjen sekrete

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›