Imuniteti, PD: Miliarderët e PS kanë frikë ta heqin

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me deklaratën e dy ditëve më parë të deputetit socialist dhe ish-kryeministrit të vendit, Pandeli Majko gjatë një takimi me të rinjtë eurosocialistë në Jalë.
Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e kësaj partie, Silvi Bardhi, tha se Majko u tregoi të gjithë shqiptarëve se miliarderët në krye të PS nuk mund të pranojnë heqjen e imunitetit sepse friksohen nga pasuritë e tyre të paligjshme dhe origjinën e tyre të dyshimtë.
Në këtë kontekst ajo shtoi se në deklaratën e tij Pandeli Majko dëshmoi qartë se negociatat PD-PS për heqjen e imunitetit nuk ishin asgjë tjetër, vecse një farcë hipokrite e zotit. Rama.
Duke u kthyer në retrospektivë Bardhi tha se frika për korrupsionin që u rëndon mbi supe, ishte e njëjta arsye që PS rrëzoi propozimin e PD edhe në 2003.
Bardhi shtoi gjithashtu se deklarata e Majkos shpjegon panikun deri në palcë që ka mbërthyer miliarderët e PS për mbajtjen e referendumit popullor për heqjen e imunitetit, ku sipas saj Rama jo vetëm nuk do të pranojë mbajtjen e referndumit, por do të përpiqet me të gjitha mënyrat për ta bllokuar atë.
Ndërkaq Partia Demokratike shprehu vendosmërinë për mbajtjen e referendumit popullor, për shembjen e murit të fundit që na ndan nga e ardhmja europiane.