PS: Berisha përgjegjës për masakrën e përdishme

Sajmir Tahiri
Partia Socialiste akuzoi sot drejtpërdrejt kryeministrin, Sali Berisha si përgjegjësin kryesorë për ngjarjet e rënda të ndodhura së fundi në Shqipëri.
Nëpërmjet një dalje para gazetarëve, deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri tha se, vendi i është kthyer terrorit, krimit ordiner dhe bandave mafioze. Shteti është gjunjëzuar dhe ata që e vuajnë janë qytetarët që sot janë më të pasigurt.
Sipas tij, për gjithë masakrën e përditshme, për vjedhjet, aksidentet, plagosjet dhe vrasjet, ka vetëm një përgjegjës, kryeministri Sali Berisha.
Përgjegjësitë e kryeministrit, sipas Tahirit, nisin që nga emërimet në pozicionet kyçe, dhe deri tek paaftësia për të siguruar standardet minimale për qytetarët shqiptarë.
Qytetarët grabiten në mes të ditës, Sali Berisha flet për imunitetin. Rrugët lahen me gjak, ndërkohë që Berisha mban rekorde noti. Shqipëria digjet dhe Berisha krihet- tha Tahiri.
Duke e akuzuar kryeministrin Berisha si të parin që cenon qetësinë dhe garancinë për qytetarët, deputeti i PS-së theksoi se pa u shkulur Sali Berisha, smund të kemi institucione të pavarura, nuk mund të ndëshkohen vrasësit, hajdutët dhe kriminelët.