E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Xhafa:Vendimi për datën 6 gusht, arbitrar

Sekretari për Çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafa i ka cilësuar si abusive dhe spekulative deklaratat e kryeministrit Berisha se mos heqja e imunitetit do të pengojë integrimin e vendit.
 

Në një takim me gazetarët, Xhafa theksoi se nëse PS-ja do ta votonte nismën e PD-së për heqjen e imunitetit nëpërmjet ndryshimeve në Kushtetutë atëherë do të kishte dy projektligje për ndryshimin e ligjit.

“ Ne e kemi votuar në parim ligjin dhe ne e konsiderojmë të mbyllur çështjen e amendamenteve për imunitetin. Sot kemi një draft konsesual. Ne nuk kemi votuar vetëm për votimin në tërësi. Nëse do votohej në tërësi do të thotë që do të kishte dy projekligje për ndryshimin e një ligji, ndërkohë që janë të depozituara dy inisiativa. Nuk mund të kemi një votim në gusht dhe një në shtator, kjo është qesharake, e paprecedentë në praktikën parlamentare evropiane” tha Xhafa.

Xhafa gjithashtu hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit Berisha se opozita ka rënë dakort që më datën 6 gusht të votohej për heqjen e imunitetit. Sipas tij, pretendimet e shumicës për datën 6 gusht, gjoja si sanksionim i rregullores janë absurde.

“Amendamenti i propozuar nga një grup deputetësh në 2008 ka përcaktuar procesin, ka vendosur kufij kohor minimal në këtë proces, që të mos abuzohet. Rregullorja përcakton 2 javë kohë të lira, pa veprimtari para thirrjes së mbledhjes së komisionit dhe 2 javë të detyruara para shqyrtimit në seancë plenare. Nisma e PD është regjistruar në 6 korrik, seanca është lënë në 6 gusht, gjithsej 31 ditë kalendarike, nga këto 28 janë ditët që rregullorja i ka të kushtëzuara për shpalljen publike të projektit final, mbeten vetëm 3 ditë pune, kaq kanë qenë dhe ditët që i janë kushtuar procesit. Data 6 gusht është caktuar në mënyrë arbitrare, e njëashme, e parapërcaktuar dhe është jashtë çdo llogjike të frymës kushtetuese dhe rregullat parlamentare” tha Xhafa ndërsa ka theksuar se mazhoranca kërkon ti imponojë opozitës vullnetin e vet në funksion të interesave politike të ditës.

Ndërsa i është referuar letrës së komisionerit Fyle drejtuar kryeministrit Berisha, Xhafa theksoi se ajo duhet të jetë një moment reflektimi për vetë shefin e qeverisë. Sipas tij, komisioneri Fyle në letrën e tij ka përcaktuar standarte dhe jo afat kohor për të miratuar heqjen e imunitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›