E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti dhe sozia e korrupsionit

REXHEP MEIDANI

Kjo historia e imunitetit nuk është shqiptare, pavarësisht se në propagandë po synohet që ajo të klasifikohet si e tillë. Këtë përshtypje të krijojnë bombat e pozitës për heqjen e imunitetit parlamentar, ndërkohë që vihet re një ndrojtje e opozitës në reagimin e saj, sidomos pas ndërhyrjesh të jashtme më shpesh të pajustifikueshme! Kurse në media, përfshirë dhe atë sociale, nuk kanë munguar vlerësimet pro e kundra mbi çështjen e heqjes së imunitetit. Nuk kanë munguar dhe karakterizime të tipit shumë zhurmë për asgjë, në zhanrin e Shekspirit, apo qesëndisjet më delikate mbi konsiderimin e heqjes së imunitetit si levë Arkimedi në luftën kundër korrupsionit! Sepse, në sy të qytetarit shqiptar dhe miqve të huaj, edhe kur janë hequr imunitetet parlamentare, gjithçka ka mbetur në hava, madje personat pa imunitet ose janë kandiduar, ose janë përfshirë e ripërfshirë në qeverisje. Nuk ka munguar dhe ngjasimi me duelin e Don Kishotit me mullinjtë e erës, apo ngjashmëria me thënien e famshme të N. Hikmetit Ah, këto mizat!, për pseudo-gjeniun, që pasi harxhoi të gjithë jetën për rehatllëk mbretëror, pikërisht për nisjen e punës mbi veprën e tij madhore, ato që po e pengonin ishin thjesht mizat!…

PAK HISTORI

Në Romën e lashtë tribunët e popullit gëzonin një mbrojtje të veçantë në kryerjen e lirë të funksioneve të veta. Mosrespektimi i saj dënohej ashpër, deri në ekzekutimin e shkelësit. Mbi këtë ide është ndërtuar dhe e drejta bashkëkohore e imunitetit (që fatmirësisht nuk shoqërohet me dënimet e dikurshme romake!). Kështu, përfaqësuesit e popullit gëzojnë sot disa garanci, jo thjesht për të theksuar rëndësinë e detyrës publike, por për të mundësuar qetësinë mendore e fizike në kryerjen e kësaj detyre. Vetë përpunimi i kësaj ideje mbi të drejtat e individit në disa nivele qeverisjeje e detyrash publike ka origjinë anglosaksone, pikërisht për të kufizuar ndërhyrjen dhe abuzimin e pushtetit mbretëror (Bill of Rights, 1689; Laë and Custom of the High Court of Parliament; Privilege of Parliament Act; Parliamentary Privilege Act). Megjithatë, në mungesë të një kushtetute të shkruar, ky lloj imuniteti u shfaq më tepër si një e drejtë zakonore. Në Francë, nëpërmjet një përafrimi më revolucionar (Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarëve,1789), u miratuan masa speciale për sigurinë dhe mbrojtjen e përfaqësuesve të popullit. Madje, në rrjedhje të viteve u konceptuan dy kategori imuniteti: njëra e bazuar në parimin e jopërgjegjshmërisë, jo detyrimit (e konceptuar si liri fjale), dhe tjetra e mbështetur në parimin e pacenueshmërisë (shpesh e interpretuar si liri ndaj arrestimit). Në rrjedhje të viteve, më i suksesshëm ka rezultuar modeli francez, fillimisht në Europë dhe më tej në ish-kolonitë e mjaft vendeve europiane. Aktualisht, parimi i jopërgjegjshmërisë është relativisht i stabilizuar, gati-gati homogjen në shumicën e kushtetutave dhe parlamenteve, ndërkohë që për pacenueshmërinë po shfaqen pozicionime më specifike, deri kontradiktore. Madje, në kohët e fundit, ka filluar një debat publik mbi imunitetin parlamentar (të lidhur me pacenueshmërinë). Nuk mungojnë dhe qëndrime që variantin e mishërimit tërësor të parimit të pacenueshmërisë e konsiderojnë si anakronik, për më tepër sugjerohen kufizime në bazën kushtetuese e ligjore të këtij parimi. Por, aty, qëndron dhe gabimi, sidomos duke barazuar evolucione të tilla në demokraci të zhvilluar me ato në demokraci të brishta. Aq më keq kur bëhet fjalë për regjime hibride e vende me qeverisje autokratike, si në rastin e Shqipërisë. Vlen të theksohet se për kategorinë e dytë të imunitetit parlamentar duhen analizuar edhe katër aspekte të ndryshme të pacenueshmërisë: personi që mbrohet, periudha e mbrojtjes, vendi i marrjes së vendimit, aktet që duhet të mbrohen. Për më tepër, ia vlen të bëhet një studim tërësor mbi trajtimet konkrete të pacenueshmërisë në vendet e BEsë. Ndërkohë, mund të nxirren disa përfundime të thjeshta. P.sh., numri i kërkesave për heqje të imunitetit parlamentar është më i lartë në disa shtete anëtare të BE-së, si Italia, Greqia etj., dhe më pak në vende të tjera, si Franca, Danimarka, Finlanda e Suedia. Po ashtu, në vendimmarrjen për heqjen e imunitetit të një deputeti, një kujdes i veçantë i kushtohet verifikimit të fakteve, për të mos shndërruar aktin e heqjes së imunitetit në mjet presioni, komandimi e kontrolli të veprimtarisë parlamentare. Aq më keq, për të përndjekur deputetin, për të ndrydhur lirinë e pavarësinë e tij në ushtrimin kushtetues e ligjor të mandatit parlamentar. Aktualisht, disa parlamente kanë reduktuar vetëm pjesërisht ndonjë element të parimit të pacenueshmërisë, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë të ndjekin rrugën e refuzimit ose të autorizimit rast për rast në kufizimin e lirisë (Francë) apo të dhënies së lejes për gjykim, por jo arrestim (Belgjikë). Për të qenë më të detajuar, më poshtë do të analizojmë çështjen e imunitetit parlamentar në 3 vende konkrete: Shqipëri, Austri, Kroaci (disi më specifik është imuniteti i gjyqtarit, i cili kërkon një analizë tjetër shumë më të hollësishme).

RASTI I SHQIPËRISË

Në Kushtetutën e Shqipërisë janë të pranishme të dyja kategoritë e imunitetit, të lidhura përkatësisht me: a) jodetyrimin (papërgjegjshmërinë) dhe b) pacenueshmërinë. Baza legale e tyre janë nenet përkatëse të Kushtetutës (dhe ligjet shoqëruese). Pikërisht, për rastin e imunitetit parlamentar bën fjalë neni 73: 1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. 2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet. 3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur nuk konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës. 4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë. Për pozicione të tjera kushtetuese bëjnë falë nenet pasuese: Neni 103,3: Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.; Neni 126: Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.; Neni 137: 1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht vetëm me miratimin e Kuvendit. 2. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë. 3. Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. 4. Gjyqtari mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.; Neni 61: 3. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.; Neni 165: 2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Siç e prekëm më sipër, do të ndalojmë këtu vetëm tek imuniteti parlamentar, nëpërmjet të cilit deputeti ka lirinë e nevojshme në kryerjen e detyrave parlamentare. Ndërkohë, në funksion të kësaj detyre, sipas parimit të

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›