E Shtunë, 31 Tetor 2026

LAMTUMIRE ARBEN!

BARDHYL MINXHOZI

Sa herë kam udhëtuar nëpër Maqedoni, gjithmonë nuk e humbisja rastin të të takoja në Tetovë, në zyrën tënde të thjeshtë. Më kujtohej shprehja jote që numrin e telefonit dhe miqtë nuk i ndërroj! Me një filxhan kafe në dorë, ndiqja opinionet e tua dhe koha kalonte me shpejtësi. Largohesha prej teje disi konfuz, sepse kurdoherë kishte diçka të ndryshme dhe të veçantë në arsyetimet e Tua. Ishte vërtetë një fat i madh të të kishe Ty bashkëbisedues. Jo vetëm thellësia e mendimit, jo vetëm detajet, jo vetëm kultura dhe informacioni, por mbi të gjitha qartësia e ideve, krijonin një profil sa shumëdimensional, aq dhe një pikë reference për të gjitha problemet shqiptare nga Tetova në Prishtine e nga Mitrovica në Himarë. Arbën Xhaferi nuk e kishte çështjen shqiptare si një part-time job! Pasioni dhe dashuria për s h q i p t a r ë t , dëshira e madhe për ti parë ata më mirë kudo që të ishin, ishte mënyra e tij e jetesës, ishin krejt ekzistenca e tij. Ai nuk u fut në politikë për tu bërë i njohur, nuk shkruante artikuj për tu konsideruar publicist, nuk jepte intervista për reklamë. Të gjitha këto veprimtari, të gjitha këto kontribute, ishin artikulime të natyrshme të shpirtit të tij të madh patriot. Jam i sigurt që jo vetëm sot, dy ditë pas largimit tënd fizik nga jeta, por dhe shumë e shumë vite më pas, do të flitet dhe do të kujtohet emri dhe vepra jote si një personalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm i politikës, por edhe i kulturës shqiptare. Por, veçanërisht, për ata që të kanë njohur nga afër, largimi yt i parakohshëm është i rëndë dhe tejet i dhimbshëm. Do të jetë një mungesë e pazëvendësueshme jo vetëm për familjen tënde të shtrenjte, por për të gjithë ata që kanë pasur fatin të të njohin nga afër. Do të na mungojnë jo vetëm idetë e tua, por dhe ajo buzëqeshja e fshehur, dhe ai vështrimi sa vibrues, aq dhe dashamirës. Do të na mungojnë trajtimet e tua erudite të çështjeve të ditës dhe historisë, do të na mungojë reagimi i menjëhershëm dhe i saktë për çdo aspekt të jetës dhe të politikës së shqiptarëve. Jo vetëm Tetovës do ti mungojë kryeqytetari i saj, por të gjithë shqiptarëve do tu mungojë kryemendimtari i mrekullueshëm i çështjes shqiptare. Dikush ka thënë se njerëzit lindin të gjithë njëlloj, por vdesin ndryshe. Kjo është më se e vërtetë për Ty i dashur Arbën, që përballove vitet e fundit të jetës me një dinjitet të pashembullt dhe krejt të ndryshëm dhe të veçantë nga të gjithë njerëzit e tjerë. Mbi të gjitha, Ti e jetove jetën tënde me një individualitet tejet të dallueshëm, dhe i palëkundur në bindjet e tua. Vitet e fundit, Ti vërtetë flisje ngadalë, por shpejtësia dhe thellësia e mendimit për shqiptarët dhe të ardhmen e tyre janë të pakrahasueshme dhe unike. Lamtumirë Arbën! Do të vij gjithmonë në Tetovë të të përshëndes!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›