Imuniteti i Limajt në Gjykatën Kushtetuese
Kuvendit të Kosovës mund t`i kërkohet që ta dërgojë në gjykatën kushtetuese çështjen e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj në lidhje me akuzat për krime lufte, të ngritura nga EULEX-i. Sipas mediave kosovare një variant i tillë po shqyrtohet nga ndërkombëtarët, pasi dështoi nisma për ta bindur presidentin Behgjet Pacolli dhe kryeministrin Hashim Thaçi ta bëjë një gjë të tillë.
Dy të fundit refuzuan me pretendimin se nuk duan të përzihen në punën e legjislativit. Ndërkohë kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi tha se deri me tani nuk i ka kërkuar askush ta bëjë një gjë të tillë.Ai shtoi se edhe në rast se pranon një kërkesë nga Eulex-i, nuk do ta ndërmarr një hap të tillë, pasi nuk i takon atij. Krasniqi tha se dërgimi i një rasti në gjykatën Kushtetuese kërkon procedura. Për këtë, sipas tij, duhet të ketë më shumë se 30 nënshkrime të mbledhura të deputetëve.