Imuniteti i Mediut, Prokuroria, 700 faqe me akuza në Kuvend
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme dërgoi dje në Kuvendin e Shqipërisë materialet shtesë shkresore, për marrjen e autorizimit për të ndjekur penalisht ish-Ministrin e Mbrojtjes, deputetin Fatmir Mediu, për ngjarjen e ndodhur më 15 mars në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës. Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës bëhet e ditur se materialet e dërguara në Kuvend janë rreth 700 faqe format A 4 , ku janë të detajuara të gjitha provat dhe dyshimet e ngritura në ngarkim të ish-ministrit Mediu për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Vepër kjo e konsumuar sipas akuzës me veprimet dhe mos veprimet e Ministrit Mediu, që në momentin e përpilimit të projekt-ligjit e deri te heqja e kompetencave Shtabit të Përgjithshëm për mbikëqyrjen e kësaj punishte demontimi municionesh ku humbën jetën 26 persona dhe rreth 300 të tjerë u plagosen. Mësohet se dosja voluminoze prej 700 faqesh është depozituar mëngjesin e djeshëm pranë zyrës së Komisionit të Vlerësimit të Mandateve pranë Kuvendit të Shqipërisë. Me dërgimin e këtyre provave, mësohet se kryeprokurorja Ina Rama ka nisur edhe një shkresë shoqëruese, ku njofton deputetet se nxjerrja apo publikimi i këtyre akteve në media, konferencë për shtyp apo servirje të tyre tek media të ndryshme do të vijojë me nisjen e procedimit penal. Sipas burimeve pranë organit qendror të akuzës, kryeprokurorja Rama në materialet dërguar Kuvendit rendit me hollësi e detaje20 shkeljet ligjore të ish-Ministrit Mediu, nëpërmjet të cilave ka favorizuar haptazi kompanitë private SAC dhe "Alba Demil", duke u garantuar atyre fitim maksimal si dhe ka shpërfillur rregullat e sigurisë, mungesa e të cilave solli katastrofën me pasoja të rënda.
Dokumentet
Sipas materialeve tashmë të dërguar me hollësi pranë Kuvendit thuhet se ish-ministri Mediu ka iniciuar projektligjin për demontimin pas takimit me përfaqësuesin e "Southern Ammunition, Patrick Henry III" të dokumentuar me dëshmi dhe deklarata të ndryshme dhe çdo akt i ndërmarrë pastaj nga ish-ministri për organin e akuzës ka pasur si qëllim plotësimin e interesave të dy kompanive SAC dhe "Alba Demil". Sipas materialeve shtesë, shkeljet që ish-ministri Mediu ka kryer nisin që nga projektligji i dërguar në qeveri, ku fillimisht u kthye mbrapsht dhe më pas u vendos draft oferta për demontimin e municioneve të kalibrit të vogël, duke paracaktuar kështu kompaninë "Alba Demil". Më pas, sipas akuzës, shkeljet vijojnë meurdhrat e kundraligjshëm përngritjen dhe caktimin e ish-repartit të tankeve në Gërdec si vend i demontimit të municioneve, urdhërimin e Forcave të Armatosura të transportonin municionin drejt Gërdecit, duke humbur mbi 500 mijë dollarë nga ky proces, heqjen e kompetencave të Shtabit të Përgjithshëm duke ia kaluar Komandës së Forcave të Bashkuara që më pas vijoi me heqjen e mbikëqyrjes së këtyre punimeve dhe kalimin e tyre nën kontrollin e MEICO-s. Sipas materialeve dërguar në Kuvend, me ngjarjen që ndodhi në Gërdec, janë cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit, në raport me komunitetin, shoqërinë dhe më gjerë. Të gjitha këto sipas organit qendror të akuzës "kanë ardhur si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve me dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mos përmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes. Të gjitha këto kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec dhe kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private të interesuara dhe të përfshira në procesin e demontimit të municioneve në ish-repartin ushtarak Gërdec. Në materialet dërguara në Kuvend, janë renditur fakse të ndryshme, projekt-ligje, drafte, akte-nënligjore, projekt-urdhra, urdhra, shkresa, procesverbale të ndryshme, raport dhe dëshmi të personave që kanë dijeni me çështjen ku kanë përfshirë ish-ministrin Mediu.
4 URDHRAT QË JANË SHOQËRUAR ME 20 VEPRIME TË PALIGJSHME
Vendimi i Këshillit të Ministrave i iniciuar nga ministri Mediu për marrëveshjen e çmontimit të municioneve, duke paracaktuar fituesin e këtij çmontimi
Miratimi i urdhrit për transportimin e municioneve nga Forcat Armatosura
Caktimi i vendit të demontimit të municioneve në Gërdec
Kalimin e Kompetencave të mbikëqyrjes së Gërdecit, nga Shtabi i Përgjithshëm ndërmarrjes MEICO
SHKELJET E KONTRATËS II
- Parashikohet kalimi i sasive dhe llojeve të municioneve të kalibrave 20-152 mm, në kundërshtim me vendimin e KM, që parashikon shitjen e kalibrave të vegjël.
- Kostoja e transportit të likuidohet nga ndërmarrja MEICO. Ky parashikim, sikurse kemi argumentuar më lart, bie ndesh me logjikën ekonomike të llogaritjes së kostos dhe mbulimit të shpenzimeve.
- Në pikën 7, ka urdhëruar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të kryhet në ish- brigadën e tankeve të kaluar në administrim të MEICO-s, në rajonin e Gërdecit, Vorë –Tiranë.
- Në pikën 7, ka urdhëruar ndërmarrjen MEICO, të vërë në dispozicion të procesit ambientet në administrim të saj… në rajonin e Gërdecit, pa përcaktuar raportin ekonomik të kësaj marrëdhënieje, çka ka sjellë në fakt vënien në dispozicion pa qira, kompanisë SAC- ALBA DEMIL, të të gjithë ambienteve.
- Në pikën 8, ka urdhëruar që ndërmarrja MEICO, përgjigjet për zbatimin nga kontraktoi të proceseve dhe standardeve të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës e shëndetit të personelit. Ky urdhërim bie në kundërshtim flagrant me pikën IV/4 të vendimit të KM, në të cilën parashikohet se "procesi i çmilitarizimit dhe çmontimit, të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të forcave të armatosura….".
- Ka urdhëruar që ruajtja e rajonit të Gërdecit dhe depove të municionit të bëhet nga Komanda e Forcës së Bashkuar dhe Ndërmarrja MEICO dhe jo nga Forcat e Armatosura.
- Në pikën 10, është parashikuar që Sekretari i Përgjithshëm të lëshojë lejet e eksportit për materialet e përftuara nga procesi i çmontimit, në një kohë që subjekti ishte i pa licencuar.