Pezullohet një polic, për ushtrim dhune
GJIROKASTËR- Ka tejkaluar në ushtrimin e dhunës punonjësi i policisë në Gjirokastër, për këtë arsye është pezulluar nga puna. Emri i tij nuk bëhet ende i ditur për arsye se s'ka përfunduar hetimi ndaj tij. Pezullimi ka ardhur si pasojë e filmimeve të publikuara nga mediat vizive. Pasi është zhvilluar ndeshja e futbollit Delvinë-Sarandë, në të cilën është ushtruar shumë dhunë, policia ka marrë menjëherë masat. Në fakt policia e Gjirkastrës ka bërë një deklaratë për shtyp ku ka pranuar se edhe nga policia është ushtruar dhunë. Në deklaratën për shtyp thuhet se verifikimi i dhunës së ushtruar nga policia në këtë aktivitet sportiv, ka nisur menjëherë pas përfundimit të tij nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, për secilin punonjës. Vetëm pas verifikimeve të plota të SHKB-së do të konkludohet më tej.