Imuniteti, mblidhet sërish Këshilli i Legjislacionit
Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve ka vijuar edhe sot diskutimet për çështjen e imuniteteve dhe ndryshimet në Kushtetutë. Në mbledhjen e sotme janë thirrur në dëgjese palët e interesit dhe ekspertë të fushës si dhe ekspertë të Euralius dhe PACA-s, misione që kanë asistuar drejtësinë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Për heqjen e imunitetit janë në tavolinë dy projekte, një i PD-së dhe tjetri i Partisë Socialiste. Projekti i demokratëve, të cilët kanë përshtatur në shqip draftin e Euralius-it, zyrës për asistencën në drejtësi që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë dhe PACA-s, projektit anti-korrupsion të Këshillit të Europës për Shqipërinë, përcakton heqjen e plotë të imuniteteve për deputetët dhe ministrat.
Ndërsa projekti i socialistëve nuk kërkon heqjen e plotë të imunitetit, duke mbajtur të paprekur deputetin apo ministrin nga arrestimi apo kontrolli i banesës. Sipas socialistit Fatmir Xhafaj që bëri prezantimin e projektit, ky përkufizim mbron deputetët nga goditjet eventuale politike.