Imuniteti, Euralius dhe PACA: Ne propozojmë, ju duhet të zgjidhni

Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve ka vijuar edhe sot diskutimet për çështjen e imuniteteve dhe ndryshimet në Kushtetutë. Në mbledhjen e sotme janë thirrur në dëgjese palët e interesit dhe ekspertë të fushës si dhe ekspertë të Euralius dhe PACA-s, misione që kanë asistuar drejtësinë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Përfaqësuesi i Euralius ka deklaruar se mbështet të dyja propozimet e paraqitura për heqjen e imunitetit ndërsa theksoi se shpreson në një marrëveshje në mënyrë që të arrihet një standart për integrimin.
“Imuniteti i përgjithshëm duhet të hiqej. Propozimi i PD na bën të lumtur pasi është propozimi ynë dhe na duket i përshtatshëm. Edhe propozimi i PS i arrin standardet evropiane. Mbështes të dyja propozimet për heqjen e imunitetit. Shumica dhe opozita duhet të arrijnë një marrëveshje në mënyrë që Shqipëria të arrijë këtë standard për integrimin” shtoi ai.
Ndërsa përfaqësuesi i PACA theksoi se mbështet të dyja propozimet por vendimmarrja i takon klasës politike shqiptare në fund.
“Ka dy opsione dhe janë shumë të mira, pasi kanë të bëjnë me kufizimin e imunitetit. Dhe ndoshta ju jeni të interesuar të dini se cili është propozimi më i mirë. Në të gjithë mendojmë se vendimmarrja i përket politikanëve shqiptarë”, deklaroi përfaqësuesi i PACA.
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka kërkuar pergjigje për një sërë pyetjesh, duke vënë në pah se propozimet e palëve edhe pse synojnë të njëjtën gjë, pra heqjen e imunitetit kanë diferenca dhe ndryshime të dukshme mes tyre.
Deputeti i PD-së Ilir Rusmajli i kërkoi përfaqësuesit të EURALIUS që të sqarojë çështjen e shpifjes për deputetët. “Çështje problematike është ajo e shpifjes. Mendoj se nuk duhet të lejoni që deputetët të ndiqen penalisht për shpifje, pasi është më mirë dhe nga eksperienca evropiane që deputeti të thotë diçka sesa të mos ketë të drejtën të japë mendimin e saj. E dyta ka të bëjë me kontrollin e banesës, në rekomandimet ndërkombëtare lejohet që prokurorët të fillojnë një hetim ndaj deputetëve. Një kontroll banese mund të ndikojë në funksionimin e parlamentit. Pasi nëse banesa e tij po kontrollohe tani nuk mund të shkojë në punë. Por, pengesës është edhe për prokurorët. Në këtë rast rekomandimi im si ekspert është që ndalimi për kontrollin e banesës të shihet në kodin penal jo në Kushtetutë”,- nënvizoi përfaqësuesi i EURALIUS.
Për heqjen e imunitetit janë në tavolinë dy projekte, një i PD-së dhe tjetri i Partisë Socialiste. Projekti i demokratëve, të cilët kanë përshtatur në shqip draftin e Euralius-it, zyrës për asistencën në drejtësi që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë dhe PACA-s, projektit anti-korrupsion të Këshillit të Europës për Shqipërinë, përcakton heqjen e plotë të imuniteteve për deputetët dhe ministrat.
Ndërsa projekti i socialistëve nuk kërkon heqjen e plotë të imunitetit, duke mbajtur të paprekur deputetin apo ministrin nga arrestimi apo kontrolli i banesës. Sipas socialistit Fatmir Xhafaj që bëri prezantimin e projektit, ky përkufizim mbron deputetët nga goditjet eventuale politike.