Ndryshimet ne Kushtetute PS pjese e procedures normale te shqyrtimit
Nisma për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtyarëve të lartë të vendit hyn në procedurën normale të shqyrtimit, dhe starti për të ishte mbledhja e gjatë e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve.
Relatorët e të dy krahëve janë Edi Paloka për demokratët dhe Pandeli Majko për Socialistët. Nisma e LSI-së del jasht objektit të mbledhjes, pasi nuk ka firmat e 25 deputetëve që kërkon një nismë për ndryshime Kushtetuese.
Pak minuata para mbledhjes, PS dorëzoi në Kuvend amendamentet e saj të firmosura nga 50 deputetë për kufizimin e imunitetit, si dhe ato për ndryshimin e disa kapitujve të tjerë në ligjin themelor të shtetit për votimin me shumicë të cilësuar të anëtarëve të Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, anëtarëve të KLD-së dhe Prokurorit të Përgjithshëm, të cilat figurojnë të protokolluara si dy nisma që në fakt gjatë mbledhjes PS i përfshiu në të njëjtin diskutim me atë të nismës së demokratëve për heqjen e imunitetit.
Nga Kryetarja e Kuvendit si kryesuese e trupës që shqyrton nismat për ndryshimet kushtetuese dhe kreu i komisionit të ligjeve, kjo u lexua si një përpjekje për të shkelur rregulloren e Kuvendit, dhe për të kushtëzuar nismën e mazhorancës, sipas propozimeve te Euralius dhe Pakas, ekspertët e KE dhe KiE.
Me nismën e PS që nuk ka lidhje me imunitetin, por me votimin me shumicë të cilësuar të anëtarëve të organeve të drejtësisë do të njihet seanca e së enjtes së ardhshme dhe, sipas procedurës normale të Kuvendit e ardhmja e saj nuk ka gjasa të jetë para vjeshtës. Një listë e gjatë kreresh të institucioneve të drejtësisë, ekspertëve të huaj dhe konstitucionalistëve u miratua për t’u dëgjur të shtunën në një seancë maratonë. Ky aprovim i të dy palëve dhe caktimi i dy relatorëve dhanë shenjën finale se socialistët kanë pranuar tashmë të ecin drejt 6 gushtit, kur mbahet seanca ku deputetë do të votojnë për heqje apo kufizim të imunitetit të tyre dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në vend.