Imzot Angelo Massafra mesazh besimtarëve për Pashkët: Mos lejoni askënd e asgjë t’iu rrëmbejë shpresën!

Imzot Angelo Massafra, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, ka uruar katolikët përmes një mesazhi për festën e Pashkës.
Në fjalën e tij, Imzot Agelo Massafra iu bën thirrje besimtarëve që të mos dorëzohen përpara vështirësive të jetës dhe të mos lejojnë askënd e asgjë që t’iu rrëmbejë shpresën.
“Vështirësitë e jetës nuk e kanë fjalën e fundit dhe as nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i dorëzohemi këtij tundimi djallëzor: nëse kemi besim në Krishtin e Ringjallur, i kemi edhe mundësitë që të përballojmë gjithçka me guxim, angazhim dhe bujari. Nuk mund të ketë situata që na pengojnë të jemi njerëz të rinj, të aftë për të guxuar, për të ëndërruar lart siç na kujtoi Papa Françesku nëntë vjet më parë në Tiranë; dhe – siç ka këmbëngulur përsëri Papa Françesku – në fenë e Krishtit të Ringjallur, ne nuk mund të lejojmë asgjë dhe askënd të na e rrëmbejë shpresën! Nëse jemi besimtarë të vërtetë në Krishtin, ka ardhur koha, dhe është në këtë moment, që të angazhohemi seriozisht për ta ndërtuar të mirën: nuk ka rëndësi se çfarë pengesash na dalin përpara; nuk ka rëndësi se sa njerëz apo situata do të rreshtohen kundër nesh: ky është momenti për të vepruar me gjithë shpresën dhe energjitë që jemi të aftë, por mbi të gjitha me energjitë që na vijnë nga feja në Krishtin Zot”, deklaron ai.
Besimtarë katolik kremtojnë të premten e zezë, apo siç njihet ndryshe “Udha e Kryqit”. E premtja e Madhe është një ditë e shënuar për besimtarët katolikë, të cilët kremtojnë çdo vit atë që njihet si dita e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë