E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Kallëzimet të verifikohen për 30 ditë

Gazeta Shqip

Urdhri i kryeprokurores: Merrni më shumë kohë para fillimit të procedimit penal

Afati i mëparshëm kohor prej 20 ditësh nuk ishte i mjaftueshëm për prokurorët

Kryeprokurorja Ina Rama kërkon nga vartësit që të verifikojnë me hollësi kallëzimet penale dhe më pas të vendosin për fillimin e procedimit panel. Duke qenë se mjaft procedime penale pezullohen apo pushohen për mungesë provash, Rama kërkon që këto prova më parë të verifikohen në harkun e 30 ditëve. Urdhri është lëshuar disa ditë më parë për të gjitha prokuroritë e rretheve, ku kërkohet që tashmë kallëzimet duhet të kontrollohen në harkun e një muaji dhe jo 20 ditëve që ka qenë më parë. Duhet një verifikim i kallëzimeve penale në momentin e paraqitjes para prokurorëve. Në harkun e 30 ditëve do të shikohet nëse materiali ka apo jo elemente të veprës penale. Më pas çështja mund të regjistrohet apo të vendoset mosfillimi i hetimeve, pohojnë burimet nga akuza qendrore, të cilat saktësojnë se afati i mëparshëm kohor prej 20 ditësh nuk ishte i mjaftueshëm për prokurorët. Duket se ky afat është më i dobishëm për Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistron në një vit kalendarik mijëra procedime penale. Një prokuror heton mesatarisht mbi 150 çështje, ndërsa mund të vendosë pushimin apo pezullimin e qindrave të tjera. Me këtë afat të ri kohor fitohet më shumë kohë për të vendosur fillimin ose jo të hetimit. Në të kaluarën kishte raste ku prokurorët fillonin hetimin penal pa kryer më parë verifikimin e kallëzimit, apo raste kur vendosej mosfillimi i hetimeve dhe gjykata e kthente për hetim, pohojnë burimet nga akuza, të cilat shpresojnë që të minimizojnë këtë problem të mbartur në vite.

Ina Rama: Kallëzimet të verifikohen për 30 ditë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›