E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi për tenderin e uniformave drejt pushimit, ska prova

Sokol Çobo

Prokuroria: Parregullsi në prerje, por u zbatuan ligjet

Një tjetër procedim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar është drejt pushimit. Hetimi për abuzimet në tenderin e uniformave të Policisë Shqiptare mund të pasojë çështjen e koncesionit të kromit në Bulqizë, ku megjithëse vërehen parregullsi, zyrtarët e akuzuar nuk vihen para përgjegjësisë penale. Duket se drejtësia shqiptare po amniston të akuzuarit për shpërdorim detyre, duke u pushuar hetimet që në fazën fillestare, megjithëse më parë këto çështje përfundonin në gjykatë. Frika e prokurorisë për pafajësi ka sjellë këtë situatë, ku shumica e çështjeve të korrupsionit pushohen ose pezullohen, me argumentimin se nuk gjenden prova për dëm ekonomik të shkaktuar ndaj shtetit. Duke u ndalur te hetimi i tenderit të uniformave të Policisë Shqiptare, që u zhvillua rreth një vit më parë, prokuroria thotë se ka verifikuar procedurën ligjore, pjesëmarrësit në tender dhe dëmin e pretenduar. Ka rezultuar se firmat e skualifikuara nga ky tender nuk kanë bërë ankesë apo denoncim në prokurori, ndërsa materiali që është bërë uniforma e re e policëve ka ardhur nga Italia, me të gjitha procedurat. Nga hetimet paraprake rezultuan se kishte mjaft parregullsi në prerjen e uniformave, ku matjet ndaj punonjësve të policisë nuk ishin të sakta, duke sjellë që qindra uniforma të dalin jashtë përdorimit. Ky fakt nuk është konsideruar nga prokuroria si shkelje apo shpërdorim detyre, pasi konkludon se mund të bëhet fjalë për gabime njerëzore.

Hetimet

Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se hetimi për këtë çështje erdhi si pasojë e një kallëzimi penal nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët mbi bazën e denoncimeve publike të gazetës Shqip, gjetën një dëm ekonomik 1.5 miliardë lekë të reja. Fillimisht u sekuestrua procedura e tenderimit, garuesit dhe pretendimet e firmave të skualifikuara. Në fokusin e grupit hetimor ishin edhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, të cilët kishin kryer të gjithë procedurën e nevojshme. Nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se procedurat ishin të rregullta. Paraqitja e dokumentacionit ishte kryer në kohë, kishte fituar oferta më e lartë, pohojnë burimet, duke pohuar se organizatorët e këtij tenderi i kishin kryer mirë të gjitha procedurat, pasi gjatë zhvillimit të tenderit të mëparshëm kishte mjaft pakënaqësi, aq sa prokuroria kërkoi dënimin e dhjetëra zyrtarëve të APP-së dhe të firmave private. Për koincidencë, firma Gjergjefi u shpall sërish fituese, megjithëse kjo shoqëri ishte nën hetim nga e njëjta prokurori për tenderin e parë. Firma fituese kishte të drejtë të merrte pjesë në tender. Ligji për zhvillimin në tender nuk e skualifikonte, megjithëse ndaj saj ishin zhvilluar hetime. Ligji përcaktonte se një shoqëri nuk futet në garë nëse ndaj saj apo pronarit ka një vendim dënimi të formës së prerë. Në rastin konkret, Gjergjefi sh.p.k ishte nën hetim nga prokuroria gjatë zhvillimit të tenderit, ndërsa më vonë mori pafajësi, pohojnë burimet nga akuza, të cilët justifikohen se nuk mund të ngrinin akuzë ndaj kësaj shoqërie ku ligji e përcakton shumë qartë këtë fazë.

Një tjetër parregullsi e pretenduar në kallëzimin e PS-së ishin se firma është paracaktuar. Akuza pohon se për këtë tender nuk ka pasur asnjë ankesë nga institucionit, qoftë KLSH-ja apo APP-ja, madje edhe firmat që morën pjesë në garë nuk janë ankuar dhe të denoncojnë parregullsitë. Akuza ka verifikuar edhe shkresat e Drejtorisë së Policisë së Shtetit për zhvillimin e këtij tenderi, ku ka rezultuar se edhe ato janë të bazuara në VKM apo edhe në ligjet përkatëse. E vetmja parregullsi që ka gjetur akuza janë ankesat për parregullsitë në prerje të uniformave, të cilat nuk janë konsideruar si shpërdorim detyre. S.Çobo

Ligjërohet korrupsioni

Frika e prokurorisë për pafajësi ka sjellë këtë situatë, ku shumica e çështjeve të korrupsionit pushohen ose pezullohen, me argumentimin se nuk gjenden prova për dëm ekonomik të shkaktuar ndaj shtetit

Hetimi për tenderin e uniformave drejt pushimit, ska prova burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›