E Diel, 1 Nëntor 2026

Inati i FSHF me Starovën: “Më kanë lënë pa licencë”Rrëfimi i “Bobit”: Askush s’e di, por jam bërë edhe trajner i kombëtares. Mbarova kurset e UEFA-s, por i kritikoj...”

Altin Latifi (GAZETA SHQIPTARE)- Është padyshim një nga trajnerët më të mirë shqiptarë, aq sa skuadrat që drejton shpesh identifikohen me emrin e tij. Por, pakkush e di që Sulejman Starova është ende pa licencë edhe pse ka mbaruar të gjitha kurset e UEFA-s. Arsyet sipas tij lidhen me inatet e vjetra të drejtuesve të Federatës dhe sidomos të presidentit Duka, kjo edhe për shkak sepse “Bobi” është një nga kritikët e përhershëm për gabimet e bëra prej tyre. Në një intervistë për “Gazetën”, Starova rrëfen edhe një prapaskenë që lidhet me kohën kur ai u bë sekretar i FSHF-së. “Askush s’e di, por atëherë më bënë trajner të kombëtares dhe pastaj vendosën që të isha sekretar”, thotë ai.

Profesor, të shtunën ndaj Tiranës. Duket se ju kanë vërtetë frikë pas asaj fitoreje që bëtë në fazën e parë...?
Është e vërtetë, luajmë ndaj një skuadre mjaft të mirë, por më kryesorja është që luajmë në “Qemal Stafa”, në një fushë të mirë dhe besoj se është e rëndësishme për të dy skuadrat kjo.

Ju ndoshta i jeni i kënaqur edhe me një barazim, ndërsa Tiranës i duhet patjetër fitorja për kreun. Sa ndikon ky presion ndaj tyre në këtë ndeshje?
Unë më shumë se sa me barazimin, kënaqem me lojën e bukur. Ky ka qenë objektivi ynë gjithë sezonin. Sa herë kemi bërë ndeshje të mira, unë kam qenë i kënaqur. Shpresoj të shkojë kështu edhe këtë herë. Pastaj, ne e dimë që Tirana është një skuadër shumë e mirë, me shumë shpenzime, e ndërtuar për të fituar titullin kampion dhe që ka lojtarë të dubluar në çdo repart. Por, edhe ne nuk trembemi.

Normalisht, Tirana është një ekip më i mirë me emra, por kjo Teutë sikur motivohet më shumë me skuadrat e mëdha...?
Natyrisht që ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira me skuadrat e mëdha, por nuk jam dakord se kemi lënë gjë me të voglat. Kemi lënë poshtë ekipe si Flamurtari apo Elbasani, që kanë bërë shpenzime shumë herë më të mëdha dhe kjo nuk është pak. Me Flamurtarin jemi ndeshur dy herë kemi një fitore, me Bylisin po ashtu, me skuadrat e tjera e njëjta gjë. Edhe me Apoloninë kemi fituar këtu dhe kemi humbur në Fier me një penallti të dyshimtë. Por, e keqja e Teutës kanë qenë gjykimet e dobta. Ne kemi lënë ato pikë që i lë çdo skuadër, por nga arbitrimet jo të mira kemi humbur të paktën 4-5 pikë që duhet t’i kishim në tabelën e renditjes.

OK, por me të mëdhatë dukeni një skuadër vërtetë e frikshme...
Në fakt, ne kemi mundur Vllazninë dy herë, kemi mundur Dinamon, me të cilën në fazën e parë kemi marrë një barazim të pamerituar pasi duhet të fitonim. Po kështu, kemi fituar me Tiranën në kryeqytet, me Besën, me Shkumbini. Këto janë ekipet e mëdha apo jo? Megjithatë, meqë jemi këtu, dua të sqaroj një diçka për të gjithë, sepse i dëgjoj shpesh këto opinionistët që thonë se ne jemi skuadër që rrimë vetëm mbrapa, me shpresën se mbase shënojmë ndonjë gol. Jo. Teuta nuk luan aspak kështu, ne kemi një ekip me të dhëna shumë të mira teknike.

Por, është e vërtetë që Teuta luan si një skuadër tipike italiane, me një vendosje shumë të mirë taktike dhe me një kundërsulm të rrezikshëm apo jo?
Sigurisht, por ne nuk luajmë si italianët para 30 vitesh. Teuta luan një futboll modern, si italianët në kohën moderne. Dhe ky krahasim mua më pëlqen. Mos harroni që në shumë ndeshje ne luajmë me tre sulmues.

Profesor, mos keni nisur një cikël me këtë skuadër të re që keni ndërtuar?
Meqë më bëtë këtë pyetje, unë po ju rrëfej diçka. Para 10 vjetësh unë isha për t’u bërë trajner i kombëtares dhe madje m’u zgjodh emri për të shkuar në ndeshjen në Suedi, por pastaj për ca probleme më bënë sekretar të Federatës. Edhe tani, pas kaq vitesh po ju them se unë nuk kam ende një licencë.

Si ka mundësi një gjë e tillë?
Po, ky është inati i Federatës ndaj meje. Unë kam bërë të gjithë kurset e UEFA-s, B dhe A dhe ende nuk më kanë licencuar për shkak se unë shpesh u dal kundër dhe i kritikoj.

Meqë jemi te kombëtarja, cili është mendimi juaj për çështjen e trajnerit të ri?
Këtu duhet një analizë shumë e gjatë, sepse pikë së pari duhet thënë se Duka dështoi. Ka kaq vjet që na drejtojnë trajnerë të huaj dhe ne nuk kemi arritur asgjë më shumë. Këtu nuk flas sepse unë personalisht e kam me qejf pankinën e kombëtares, pasi mendoj se mund ta bëjnë edhe disa të tjerë, por kjo është një çështje delikate. Nëse do marrim një të huaj, atëherë të marrim një dhe ta paguajmë 800 mijë euro që të qëndrojë në Shqipëri. Me këta që marrim ne, nuk bëjmë dot asnjë ngritje cilësore. Madje, trajnerit të ri i duhet nja një vit që të ambientohet, ndryshe nga ne që jemi këtu.

Po dështimi i Dukës ku qëndron?
Ai erdhi atëherë si një biznesmen, por jo për të dhënë mend nga ana taktike në futboll, por për të ngritur atë nga ana financiare. Këto gjërat them se nuk i takojnë atij apo “këshilltarëve” që Duka mban pranë dhe që i thonë të marrë trajner të huaj.

Diçka të fundit, para pak ditësh ju keni folur për dështimin e ekipit kombëtar Shpresa në vitet e fundit. Sigurisht që këto janë fakte, por veç kësaj, skuadra Shpresa është akuzuar edhe për trukime disa herë, duke nisur nga Aliaj në Kroaci. Mos ndoshta largimet tek ky ekip duhet të nisin që nga trajneri Bushati?
Unë këtë punën e ekipit Shpresa e përmenda pikërisht edhe pas akuzave që ka bërë një ish-futbollist i kombëtares. Dhe nuk flisja vetëm për periudhën e Bushatit, por ka 10 vjet që është kjo punë me këtë skuadër. Aliaj thoshte në atë deklaratë se lojtarët kishin marrë urdhër nga lart dhe kjo lë shumë vend për dyshime. Ekipi Shpresa ka qenë krenaria jonë, por që nga koha e Hasan Likës ne pësojmë kaq shumë gola.

Licenca
Aktualisht Starova është trajner i Teutës së Durrësit, por ai thotë se nuk e ka licencën edhe pse ka mbaruar të gjitha kurset e nevojshme të UEFA-s. Një gjë e tillë tregon inatin e Federatës për kritikat e tij.
Shpresat
Starova është mjaft kritik me ekipin kombëtar Shpresa, që sipas tij ka 10 vjet që pëson gola pafund. Akuzat e dala nga Aliaj pak muaj më parë, pas ndeshjes me Kroacinë, tregojnë edhe një tjetër anë të këtij ekipi.
Arbitrat
Ndoshta Teuta e Starovës do të kishte më shumë pikë në renditje, por për hir të së vërtetës, ajo është një nga ekipet më të ndëshkuara nga arbitrat. “Do kishim patjetër 4-5 pikë më shumë”, thotë Starova.

41Pikë
Teuta e Starovës ka 41 pikë në tabelën e renditjes dhe nesër do të luajë në “Qemal Stafa” ndaj Tiranës. Në fazën e parë, durrsakët fituan 2-1.

SKUADRA
“Teuta luan futboll italian, por modern”
Skuadrat e tij i akuzojnë shpesh se luajnë një futboll mbrojtës, por Starova nuk është i këtij mendimi. Edhe pse e pranon se ka një ekip paksa “italian”, ai u kujton të gjithëve se durrsakët luajnë me 3 sulmues në çdo ndeshje. “Kanë një ide të gabuar, sikur ne luajmë në mbrojtje dhe po shënuam ndonjë gol, fitojmë. Jo, mua më pëlqen që thuhet se luajmë si italianët, por jo si italianët e 30 viteve më parë. Po ta shihni, është një futboll modern me stil italian”, sqaron Starova. E në fakt, Teuta e tij është një skuadër me vendosje perfekte taktikisht në fushë.

POLEMIKA
“Duka dështoi, trajnerët e huaj s’kanë bërë asgjë”
Një kritikë e zakonshme e Sulejman Starovës lidhet me trajnerët e huaj, të cilët sipas tij, nga ana e rezultateve nuk kanë sjellë asgjë të re. “Në këtë pikë mund të them se Duka dështoi. Ai erdhi në futboll për të sjellë ide të reja në lidhje me menaxhimin dhe anën financiare, por jo të jepte mend për aspekte taktike të futbollit”, shprehet tekniku i Teutës. Starova e pranon se ka një dëshirë edhe vetë për të marrë pankinën kuqezi, ndonëse e di se kritikat ndaj drejtuesve aktualë të Federatës e bëjnë të pamundur një gjë të tillë. “Nëse merr një trajner të huaj dhe e paguan 800 mijë euro OK, por kaq sa japim ne, vijnë trajnerë që janë të gjithë në nivelin tonë. Më keq akoma, u duhet një vit për t’u përshtatur me futbollin shqiptar”, shprehet “Bobi”.

E Premte, 24 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›