Inaugurohet sistemi për kontrollin e hapësirës ajrore

Ministër i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi
Ministëri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, inauguroi sot sistemin e ri bashkëkohor për kontrollin e hapësirës ajrore.
Ky projekt u realizua nga kompania Lockheed Martin dhe ishte pjesë e programit 76, 5 milion dollarësh për modernizimin e hapësirës ajrore shqiptare.
Olldashi e cilësoi modernizimin e hapësirës ajrore shqiptare, si thelbësore, në kuadër të detyrimeve që i rrjedhin vendit tonë, për ta bërë hapësirën ajrore Shqiptare, pjesë integrale të hapësirës ajrore Europiane.
Olldashi, në fjalën e tij gjatë ceremonisë të zhvilluar në Aeroportin Nënë Tereza, tha se përfundimi i këtij projekti, i jep mundësi vendit tonë të ketë një hapësirë ajrore europiane.
Fluturimi mbi hapësirën ajrore shqiptarë tashmë është tërësisht i kontrolluar, çka do të sjellë shumë efekte pozitive për vendin tonë, ku më kryesori është ulja e kostove operacionale për kompanitë e udhëtimeve ajrore, tha ministri Olldashi.
Olldashi tha se, në sajë të këtij programi dhe të vëmendjes së lartë, që Ministria e Transportit ka pasur ndaj këtij sektori, edhe pse në kohë krize, kemi pasur rritje pozitive. /E.L/