Në grupin e PS njoftohet formalizimi i Lëvizjes “Nano” – ngërç në porositë e lidershipit
Malaj: Kemi detyrime morale t’i ofrojmë Fatos Nanos kandidimin
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj u shpreh dje se duhet një kandidat politik për presidentin e ardhshëm. Duke u ndaluar tek kandidatura e Fatos Nanos, Malaj tha se ai ka të drejtë morale nga PS që ta kandidojë. “Rasti Nano nuk duhet konsideruar si çështje personale e Nanos. Nga viti 2008 u ndryshua Kushtetuta për të shmangur krizat, që realisht kanë qenë më të mëdha. Zgjerimi i demokracisë është shumë më produktiv sesa përqendrimi i pushteteve në duart e një grupi njerëzish. Procesi që nisi Nano ktheu sensibilitetin publik në problemet që ka demokracia. Nano hapi një debat, nuk mblodhi firma, debat i cili u tentua të mbyllej në takime të fshehta. Nano ka të drejtë morale të kërkojë mbështetje të PS, dhe PS ka të drejtë morale t’ia ofrojë diçka të tillë”, theksoi Malaj.
Ai theksoi se do ishte humbje për vendin nëse kandidatura e vetme del nga mazhoranca, pa konsensusin e opozitës. “Mendoj se do të ishte mirë që presidenti të dilte nga radhët politike. Mazhoranca duhet të qartësojë ç’do të arrijë, janë prezent kriza e reformës zgjedhore, parlamentare , ekonomike, ajo mund ta bëjë diçka të tillë, por nuk do të ishte zgjedhje. Vendi nuk fiton gjë, mund të fitojë mazhoranca që të na kthejë në atë kohë ku vendimet përqendrohen në duart e disa personave, pushtet absolut. Zgjatimi i ngërçeve politike nuk i bën mirë vendit. PS nuk pengohet të shkojë me kandidat dhe s’e pret këtë të drejtë nga mazhoranca. Kjo është më tepër një lojë për të zvarritur, sesa dëshirë për të dhënë zgjidhje”, theksoi ai.
Nano: Politika të japë zgjidhje, të mos cenohet statusi
Ish-lideri historik i së majtës ka tentuar dhe njëherë te ngjallë ndjenjat atdhedashëse tek politikanët shqiptarë, në mënyrë që të gjejnë maturinë për ti dhënë këtij vendi Presidentin që meriton. Përmes një deklarate për mediat nga e ashtuquajtura “Lëvizja Nano”, theksohet se Fatos Nano përshëndet aktin e përgjegjshëm dhe atdhetar prej dinjitari shtetëror të zotit Xhezair Zaganjori për tërheqjen nga kandidimi i propozuar për detyrën e Presidentit të Republikës.
Duke e vlerësuar maksimalisht këtë proces deklarohet se Fatos Nano do të tërhiqet nga gara vetëm në momentin kur rebusi dhe ngërçi i zgjedhjes së Presidentit do të marrë fund. “Fatos Nano është zgjidhësi i krizës dhe i ngërçit, e si i tillë do të vazhdojë të qëndrojë i vetë-ofruar para Partisë Socialiste, Deputetëve Socialiste, Kryetarëve të Partive Parlamentare, Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, publikut shqiptar, sepse vetë-ofrimi i tij është për të shërbyer e kontribuar me përkushtim e mirëbesim për zgjidhje konfliktesh, e jo shtim konfliktesh të cilat po vrasin të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shpresën e të gjithë shqiptarëve”.