“Inceneratori i Elbasanit”, Apeli i GJKKO cakton 5 qershorin për shqyrtimin e ankesave

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka caktuar datën 5 qershor për nisjen e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) mbi inceneratorin e Elbasanit.
Vendimi është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Ilirijana Olldashi, Saida Dollani dhe kryesuese Ingerta Hysi. Në tetorin e shkuar GJKKO e shkallës së parë dënoi ish-ministrin e Mjedisit me tetë vite burg, që u konvertua në 5.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dënime kanë marrë dhe të pandehurit e tjerë, teksa Alqi Bllako u shpall i pafajshëm.
Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ankimoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për inceneratorin e Elbasanit, duke kërkuar dënimin me 10 vite burg të ish-ministrit Lefter Koka dhe 4 vite burg të ish-deputetit Alqi Bllako. Lidhur me vendimet e marra nga shkalla e parë GJKKO, ankimim ka depozituar dhe të pandehurit që kërkojnë dënime më të lehta, ose pafajësi.
Dënimet për inceneratorin e Elbasanit
-Lefter Koka 8.6 vite burg me gjykim të shkurtuar, 5.8 vite burg
-Klodian Zoto 10 vite burg, gjykim i shkurtuar 6.8 vite burg
-Mirel Mertiti 10 vite burg, gjykim i shkurtuar 6.8 vite burg
-Stela Gugallja 7 vite burg, gjykim i shkurtuar 4.8 vite burg
-Alqi Bllako shpallet i pafajshëm
-Pellumb Abeshi 4 vite burg, gjykim i shkurtuar 2.8 vite burg
-Bardhyl Cabiri 2 vite burg
-Jonida Zeqo 4 vite burg, gjykim i shkurtuar 2.8 vite burg
-Serafin Papa 1.4 vite burg