Inceneratori i Elbasanit/ Monika Kryemadhi thërritet në SPAK: Dorëzova fakte të reja të aferës korruptive

Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi është paraqitur paraditen e të enjtes në SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me denoncimet për inceneratorin e Elbasanit. Në një dalje për mediat Kryemadhi ka deklaruar se ka paraqitur prova të reja lidhur me inceneratorin e Elbasanit. Kryemadhi theksoi se fokusi nuk është vetëm zbulimi i emrave të përfshirë në aferë, por zbardhja e së vërtetës me qëllim që qytetarët të mos paguajnë një projekt që nuk eksziston.
“Jam thirrur si një nga kallëzueset kryesore për inceneratorin e Elbasanit. Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është se një nga arsyet kryesore, siç është ky proces i verifikimit të dosjeve, është i rëndësishëm për të bërë të qartë që nuk është çështja e një individi, por e sistemit. Sot paraqita prova të reja, dorëzova fatura të tjera që kanë të bëjnë me grabitjen që është bërë vetëm në inceneratorin e Elbasanit. Kallëzimi është shumë i qartë, Agaçi, Koka, Bllako dhe i gjithë komisioni. Përfituesi i parave është Edi Rama. Fokusi jonë është thjesht te emrat por si vazhdojnë sot qytetarët shqiptarë paguajnë një projekt që nuk ekziston. Uroj që të gjithë mos kenë frikë dhe të thonë të vërtetën”, tha Kryemadhi.
Denoncimet për inceneratorin e Elbasanit, Tiranës dhe Fierit kanë qenë të vazhdueshme. Kryemadhi ka adresuar thirrje të herëpashershme ndaj SPAK për hetimin e atyre që deputetja i ka cilësuar si mega-afera. Më herët Kryemadhi ka dorëzuar në SPAK materiale shtesë në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Kryemadhi ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se kishte dijeni që në 2016, pasi kishte dy përfaqësues në komisionin për dhënien e koncesionit. Kryemadhi shprehet se edhe pse në këto muaj të nxehtë mund të jetë e vështirë për të punuar, do të vazhdohet me këmbëngulje për të vijuar hetimet.
/rtsh.al/