E Diel, 1 Nëntor 2026

Incesti baba-bijë, policia arreston 63-vjeçarin

Një rast i rëndë incesti është shënuar në një fshat të Lezhës, ndërkohë që uniformat blu kanë kryer arrestimin e autorit. Burimet policore bënë të ditur se një vajzë 21-vjeçare ka denoncuar të atin se nën kërcënimin e thikës kishte kryer marrëdhënie seksuale me të. Sipas të dhënave nga policia lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës. E dhunuara Evelina D., 21 vjeçe, banuese në Rrilë, ka shkuar në polici dhe ka deklaruar se babai i saj Prekë D., 63 vjeç, e ka përdhunuar. Ajo ka shpjeguar se mëngjesin e së shtunës, pikërisht rreth orës 05.00, i ati e kishte zgjuar nga gjumi e i kishte kërkuar që të shkonte me të për të punuar në arën e misrit. Kur kanë mbërritur atje dhe kanë nisur punën e tyre, ai i është afruar dhe ka filluar ta ngacmojë. Më pas, sipas dëshmisë së vajzës, ai ka nxjerrë një thikë, ia ka vendosur në fyt dhe e ka shtrirë në arën e misrit, që e ndihmonte agresorin mos të shikohej nga njerëzit e tjerë. Aty, babai dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën, duke e kanosur që mos të bërtiste e mos t‘i tregonte njeriu se ndryshe do e vriste. Më pas, ai e ka lënë sërish të lirë dhe ka vazhduar punën sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Policia e Lezhës, kur ka dëgjuar këtë dëshmi tronditëse, ka marrë menjëherë masa për shoqërimin e 63-vjeçarit në polici, i cili nuk kishte shumë kohë që ishte liruar nga burgu, pasi ka qenë i dënuar për vrasje. Ai është marrë në pyetje nga oficeri i policisë për krimet seksuale, por nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga vajza. Më tej, ai ka deklaruar se ka pasur një konflikt të vogël me të dhe mbase kjo e ka shtyrë për të kryer një denoncim të rremë. Megjithatë, policia pritet të kryejë ekspertizën nga Mjekësia Ligjore për të vendosur sesi do të veprojë me këtë rast flagrant dhe të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›