Incident në Peqin, dhunohen 3 simpatizantë të PS-së
Tre simpatizantë të Partisë Socialiste në Peqin janë dhunuar gjatë orëve të natës së mbrëmshme. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bishqem të komunës Pajovë të Peqinit ku kanë mbetur të dëmtuar Sabjan Xhani 37 vjeç, nga fshati Paulesh, i cili është dërguar në spitalin e Elbasanit dhe babë e bir Dorjan Palku 27 vjeç dhe Qazim Plaku 52 vjeç nga Pajova, ku po marrin mjekim në spitalin e Peqinit.
Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste në këtë zonë, Skënder Hasa në një prononcim për “Ora News” e ka cilësuar këtë incident të dhunshëm dhe politik, ndërsa ka theksuar se në këtë ngjarje janë përfshirë edhe policë civilë.
Ndërkohë, për “Ora News” ka folur edhe njëri prej simpatizantëve të dhunuar natën e mbrëmshme, Sabjai Xhani, i cili shprehet se ai bashkë me dy simpatizantët e tjera janë dhunuar nga persona të armatosur me armë zjarri me në krye kryeplakun e komunës Pajovës Albert Kreci.
Ky është incidenti i parë i dhunshëm që shënohet në qarkun e Elbasanit, ndërkohë që më parë janë shënuar vetëm incidente sporadike me dëmtime posterash, djegie flamursh etj.