Incident shqiptaro-serb në Asamblenë e OKB-së
Fjalimi i Kryeministrit Sali Berisha në OKB ka shkaktuar reagimin e delegacionit serb. Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç ka depozituar një ankesë në sekretariatin e OKB-së ku kontestonte pjesëmarrjen e delegacionit kosovar në takim. Krerët e delegacionit kosovar ishin të pranishëm në sajë të ftesës së bërë nga delegacioni shqiptar dhe ky lajm konfirmohet nga burime pranë kryeministrisë. Sekretariati i OKB-së hodhi poshtë pretendimin e Serbisë se delegacioni kosovar duhet të dilte jashtë sallës ku po mbahej takimi. Kryeministri Shqiptar u fokusua në fjalën e tij pikërisht te njohja e pavarësisë së Kosovës, ndërsa në planin e brendshëm ai foli për reformat, liberalizimin e vizave etj. Në sallën ku mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Berisha tha se "Kosovën e kanë njohur 63 vende të OKB-së, por nuk ka marrë vendin që kërkon nga kombet sovrane. U bëj thirrje të gjitha qeverive të vendosin në axhendën e tyre mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës", tha Berisha. Sipas tij, themelimi i shtetit të pavarur të Kosovës është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit dhe Europës Juglindore. "Në këtë vend janë ulur ndjeshëm tensionet ndëretnike, janë ndërprerë largimet e serbëve nga Kosova. Qeveria ime është e vendosur që ta ndihmojë qeverinë e Kosovës në projektet e saj. Bashkimi Europian ka dërguar në Kosovë misionin EULEX-it, që po jep një ndihmë të çmuar atje", theksoi ai. Ndërsa duke bërë një tablo të plotë të reformave që janë në axhendën e qeverisë së tij të re, Berisha bëri të ditur se gjatë kësaj vjeshte do të kërkojë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe shqyrtimin e kërkesës për liberalizimin e vizave.