Shqipëria turpërohet 5:0 me Hungarinë
Aventura e përfaqësueses U-17 të Shqipërisë në Grupin 11 eliminator të Europianit të kësaj moshe ka filluar në mënyrën më të keqe të mundshme. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ardian Mema u turpërua me rezultatin 5:0 në ndeshjen e parë, të zhvilluar dje përballë bashkëmoshatarëve hungarezë, që janë edhe ekipi organizator. Dorëzimi i kuqezinjve erdhi kur kronometri tregonte vetëm tetë minuta lojë: vendasit kaluan në avantazh me Szolgan. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 2:0, pas rrjetës së realizuar nga Serfozo në të 37-ën. I njëjti lojtar ka shënuar edhe dy gola të tjerë në minutat 49-të dhe 59-të, ndërsa goli i pestë mban "firmën" e Mumajesit, që në minutën e dytë të kohës shtesë shënoi në portën e tij. Nesër Shqipëria U-17 luan takimin e dytë në grup me Sllovakinë, ndërsa kundërshtari i datës 30 është Luksemburgu.