E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti i Vjenes Berisha Komision hetimor

Kryeministri Sali Berisha akuzon kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se ka kryer akte të dhunshme, brutale dhe amorale ndaj një diplomati shqiptar në Vjenë dhe propozoi ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur me detaje se çfarë ka ndodhur në takimin e një dite më parë në ambientet e Akademisë Diplomatike të Vjenës.

"Aktin që ka ndodhur në Vjenë ndaj një diplomati ne karrierë nuk e ka kryer asnjë prej udhëheqësve të komunizmit. Ditën e hënë do të votohet ngritja e Komisionit Hetimor për këtë çështje. Kjo është një histeri kolektive dhe Rama në fund të hetimit do të përfundojë aty ku e meriton", tha me tone të ashpra Berisha. Shefi i Qeverisë theksoi se do të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të thirrur Parlamentin në çdo kohë me qëllim ngritjen e komisionit hetimor. Pas fjalës së Berishës, ishte kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi, i cili theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme duhet të njoftonte shkarkimin e këtij diplomati dhe jo marrjen e tij në mbrojtje. "E vetmja gjë që duhet të bëni në këtë moment është lirimi i diplomatit dhe t'i kërkoni falje PS-së", tha Ruçi. Ruçi akuzoi kren e qeverisë, Sali Berisha se e ka përdorur diplomatin Ceka, për të prishur takimin e liderit të opozitës në Vjenë. Ruçi e cilësoi këtë një akt të paprecedentë. “Askush nuk mund ta imagjinojë, që një diplomat karriere, siç thatë ju, të shkojë në takim dhe ta prishë takimin, dhe të provokojë përfaqësuesin politik të opozitës", tha kreu i grupit te PS-së. Debatet e ashpra u bënë në seancën e sotme plenare,për një çështje që është konsideruar më herët gjatë ditës si incident nga Ministria e Jashtme. Në një konferencë për shtyp, zëvendësministrja e Jashtme Edit Harxhi njoftoi se në Akademinë Diplomatike të Vjenës, gjatë një bisede është fyer imazhi i Shqipërisë disa here. "Një nga diplomatët shqiptarë, Egin Ceka, në përfundim të takimit është afruar z.Rama për të biseduar rreth një pike që z. Edi Rama e ka ngritur disa here pengimin nga ana e tij për votën e shqiptarëve kudo nëpër botë nëpërmjet ambasadave tona. Pas një përplasje me fjalë mes tyre, Z. Rama ka potencuar gjatë bisedës së tij,që nuk është e mundur vota e shqiptarëve për arsye të tejpolitizimit të përfaqësive diplomatike shqiptare. Rama fillimisht ka përdorur dhunë verbale ndaj Cekës dhe më pas dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve", tha Harxhi në reagimin e saj. Ndërkohë me një reagim të bërë publik për mediat, PS shpreh keqardhje për nivelin banal ku ka rënë Ministria e Jashtme dhe trupi diplomatik shqiptar. "Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje: Dialogu prej më shumë se dy orësh i një audience të nderuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Pas takimit djali i Neritan Cekës,që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike. Ndërkohë sot, Ministria e Jashtme vazhdoi avazin e saj të propagandës antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një "diplomati" që s'është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit", thuhet në reagimin e PS.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›