E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti me avionin shqiptar, Sllovakia: Të mos ekzagjerohet

TIRANE- Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka pritur sot në Tiranë homologun e tij sllovak Miroslav Lajcak, nga i cili ka marrë mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ministri i Jashtëm sllovak Lajcek, ka shprehur qendrimin e tij edhe në lidhje me incidentin e ndodhur ditën e dielë, me avionin e kompanisë Albania Airlines, i cili ndryshoi destinacionin nga Bolonja duke cuar në Bratislavë 110 pasagjerë shqiptarë. Sipas kreut sllovak, ky incident nuk duhet të ekzagjerohet nga autoritetet shqiptare deri në zbardhjen e plotë të provave. “Është e vërtetë se kjo cështje ka tërhequr një vëmendje të vecantë, por kërkoj që të mos ekzagjerohet pa pasur prova nga autoritetet shqiptare. Theksoj se kjo nuk është një cështje mes dy vendeve tona, por një incident mes dy kompanive”- deklaroi minstri i Jashtëm sllovak gjatë takimit me homologun e tij shqiptar Metën. Ndërsa vetë ministri ynë i Jashtëm, Ilir Meta i pyetur në lidhje me incidentin e avionit të kompanisë Albania Airlines, u shpreh se ky ishte një veprim i dënueshëm por thekson se, incidenti është një cështje mes dy kompanive dhe nuk lidhet me marrëdhëniet midis dy shteteve. “ Veprimi i ekuipazhit të avionit ishte i dënueshëm por një incident i tillë nuk ndikon në marrëdhëniet mes shteteve, theksoj se incidenti është mes dy kompanive, kjo cështje po ndiqet dhe do ketë vëmendjen tonë deri në zbardhjen e plotë të saj” – u shpreh Meta. Gjatë konferencës së përbashkët Meta u shpreh se vizita e homologut të tij sllovak është shumë e rëndësishme për një kapitull të ri marrëdhëniesh, duke filluar nga përurimi i ambasadës sllovake ditën e nesërme. Ndërsa nënvizoi se brenda këtij viti edhe Shqipëria do ketë ambasadën e vetë në Bratislavë. Minstri i Jashtëm sllovak në lidhje me cështjen e Kosovës, u shpreh se qëndrimi i Bratislavës zyrtare është i njëjtë dhe nuk do të ndryshojë.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›