E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Vasili e Ksera raportojnë në Komision

TIRANE- Në Shkodër nuk ka asnjë rrezik për përhapjen e ndonjë epidemie të mundshme. Kjo ka qenë garancia që ka dhënë Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë raportimit të tij në komisionin parlamentar të punës, cështjeve sociale dhe shëndetësisë. Vasili së bashku me ministrin e Punës, Spiro Ksera kanë informuar deputetët lidhur me masat që kanë marrë për përmbytjet e shkaktuara në veri të vendit. Sipas Vasilit, mbajtja nën kontroll e situatës shëndetësore dhe sanitare në zonat e përmbytura për të shmangur përhapjen e epidemive apo infeksioneve do të realizohet nëpërmjet një plani konkret masash. “Masat e marra konsistojnë në eleminimin e rrisqeve të mundshme. Ne kemi miratuar një plan aty janë vendosur të gjitha momentet si do të drejtohet me tutje kjo sasi e grumbullimit të ujrave të zeza në ujësjellësa dhe cila është masa sanitare. Të dhënat sanitare për ujësjellësat janë plotësisht të shëndetshme, dhe nuk ka asnjë shfaqje të njdonjë elementi epidemic” theksoi Vasili. Ndërkaq Ministri i Punës Spiro Ksera ka deklaruar se në zonë po vijon shpërndarja e ndihmave shtetërore, shteteve fqinjë, të subjeketeve private dhe OJF-ve të ndryshme. Ksera premtoi përfshirjen e familjeve të përmbytura në skemën e ndihmës ekonomike. “Ky grup ka kontaktuar me përfaqësues të pushtetit vendor të zonës u ka kërkuar këtyre të fundit që përfshijnë në listat e të përmbyturve të zonës në skemën e ndihmës ekonommike të gjitha familjet e dëmtuara në këtë fatkeqësi natyrore. Flitet që së shpejti ndoshta pasi të ketë mbaruar kjo fazë emergjence për fillimin e paraqitjes nga fermerët të dhënat e sakta të familjeve të dëmtuara, të cilat do ti bashkangjiten skemës aktuale të ndihmës ekonomike në Qarkun e Shkodrës“ u shpreh Ksera. Sipas informacioneve nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se gjatë ditëve të përmbytjes mbi 370 bluza të bardha në vendngjarje kanë realizuar mbi 7 mijë vizita mjekësore nga të cilat nuk ka rezultuar asnjë rast me komplikacione. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›