E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë i thjeshti,mitiku PANO!

TIRANE- Me rrënjët nga Delvina, dheu i të parëve të tu, ti erdhe në jetë në Durrësin bregdetar dhe zemra pushoi së rrahuri matanë oqeanit, po buzë detit në Florida! Delvina e zgjuar e bujare nuk më habit mua, djalë me gjak nga ato anë, sepse andej vinte rektori i parë i universitetit të Stambollit, Hasan Tasihmi, “Koperniku ynë”, andej vinte koreograf i shquar, Panajot Kanaçi mjeshtëri i hollë i lëvizjes trupore që të kujton një Moris Bezhar, dhe vjen një Panajot Pano, që mund ta quash një Pushkash shqiptar apo një … Mund të rreshtoj yje të sotëm të futbollit, pa gabuar! Njeriu i thjeshtë, Panajot Pano, mitiku i futbollit tonë mund të krahasohet me cilindo yll të sotëm të futbollit botëror, pa ekzagjeruar. Ata që do derdhen sot në stadiumin kombëtar si yje të superpaguar të Real Madridit, do duhet të mbajnë frymën dhe të respektojnë heshtjen për Ty, i madhi Pano. Edhe sot, megjithëse kanë kaluar gati 4 dekada nga ajo ditë kur i vare këpucët në gozhdë dhe fanellën e dorëzove, klasi yt dhe cilësitë e tua të rralla ishin më shumë se një fenomen, ishin një parashikim i futbollit që luhet sot. Tek largoheshe nga fusha bashkë me Ledion e vogël përdore, ne të gjithë u përlotëm, qamë sinqerisht, dhe e di pse Panajot Pano?! Jo thjesht për mjeshtërinë që ende koha nuk e ka sjellë, sepse vlera si ty mund të lindin një herë në 100 vjet; porse me fanellën kuqezi, ti Panajot Pano na “mësove se si ta donim atdheun”! Beu i Turqisë të tha: “sa kg je Pano, aq flori do të paguaj”, që të luaje me Fener Baçen, po ti ju përgjigje: “do të luaj me mëmëdhenë”! Asnjë lloj egoizmi, joshjeje apo smire për pasuri. Pasuria jote më e madhe ishte futbolli, që ti e luaje aq bukur, në mënyrë aq sportive dhe si një kalorës, mundjen në fushë e kishe sportivitet dhe kënaqësi. Shtanga mjeshtër, kur dëgjova lajmin dhe loti më rrodhi nga zemra. M’u kujtua fëmijëria, adoleshenca, rinia dhe jeta prej adulti, dhe si në një skaner kalova ngjarjet, gëzimet, tronditjet dhe kuptova se kishte nga ato që ishin zbehur, larguar dhe harruar. Por jo, gjithçka që lidhet me Ty ishte e gjallë deri në detaje. Ishe shëmbëlltyrë për breza të tëra sportistësh dhe sportdashësish. Të gjithë të flisnin në rrugë dhe të gjithëve ju flisje, dhe ky komunikim në të gjithë Shqipërinë. Komentatorët sportivë, si Anton Mazreku (ky Nando Martelini apo Bruno Pizzuli shqiptar), Feti Borova apo Frederik Fico (i ndjeri) apo Veli Rada, kur shqiptonin emrin tënd dukej sikur thoshin jo Panajot Pano, por Margaritar Margaritari. Gjithçka ndryshonte në muzikalitetin e tyre, në fjalorin sportiv që përdornin, në komentin teknik të situatës së ndeshjes. Dhe, kur ti luaje me Partizanin tënd të dashur apo me ekipin kombëtar, përmes valëve të radios të ndiqnin kudo ku jetonin shqiptarët, në një post kufitare, në një mal ku u shërbehej bagëtive, në një kabinë makine apo në zyrë post-telegrafe. Ti kishe “në dorë rrahjen e zemrave të njerëzve”, gëzimin dhe optimizmin e tyre, sepse në atë kohë të një shoqërie të mbyllur, Ju sportistët tanë të mrekullueshëm dhe bashkë me ju, edhe artistët, ishit të vetmit që na vinit në kontakt me “lirinë” e munguar. Indirekt, duke sjellë këtu skuadrat e huaja, ne kuptonim që kishte edhe një botë tjetër më të madhe, më ndryshe, më të lirë. Por, kuptuam që nga dimensionet ti ishe si ata, madje si ajka e tyre dhe mbeteshe Panajoti Ynë i shtrenjtë! Njeriu pasionant, mjeshtri i përkortë, shoku tolerant, njeriu modest, familjari i mrekullueshëm. Zonja jote, Rebeka ta përgatiste çantën me veshjet në një mënyrë të mrekullueshme, saqë kur ta shihnin kolegët se si ishin palosur teshat, habiteshin. Ajo respektonte kështu mundin dhe djersën tënde, ajo derdhte veneracion për gjeninë tënde, ajo si askush tjetër kishte kuptuar se ç’ishte futbolli për ty. Ajo djersë dhe baltë mbi fanellë, ishte mënyra se si ti jetoje, se si e kuptoje botën dhe si dialogoje me të. Edhe kur Presidenti Bamir Topi të vuri në gjoks dekoratën “Nderi i Kombit”, fjalët e tua ishin: “Për mua do të ishte më e lehtë të bëja një gol…”! I dashur Pano! Ti mbete modest i pakorrigjueshëm, por në këto vite ne kishim nevojë për Ty, për përvojën dhe gjeninë tënde! Kur them ne, kam parasysh futbolli ynë lokal dhe ai kombëtar. Hej, “trimosha” të Federatës së Futbollit, a e kuptoni se çfarë keni bërë, atë që nuk korrigjohet më. Panajot Pano do të duhej të ishte në stafin e ekipi kombëtar, pavarësisht se kush do të ishte trajner; gjerman, holandez apo kroat. Shikoni ekipin kombëtar italian. Xhixhi (Luigi) Riva, legjenda sarde dhe e nacionales, është në stafin e ekipit për dekada. O persona me pushtet! !ë të quheni njerëz, duajini vlerat njerëzore në të gjallë të tyre. Kur ata mbyllin sytë, gjithçka është dekor. është patologjia e sotme e “vjedhjes” nga aksesi publik i atyre që kanë autoritet, vlera dhe marrëdhënie, dinjitetin e dhuruar si shërbim për komunitetin. Përse Panajot Pano të mos kishte një shtëpi të dhuruar nga shteti, një pension jo 400 mijë lekë të vjetra, aq sa një nga parellinjtë e sotëm lë bakshish për të bërë përshtypje, por 2000-3000 euro? Kur vdiq Pushkashi, më qëlloi të isha në Hungari... U habita kur të gjitha radiot ndaluan transmetimin dhe dhanë lajmin. Hungarezët varën kokat, ishte shuar legjenda e tyre dhe e Real Madridit, u shpall zia dhe ceremoniali ishte madhështor. Edhe Panoja ynë, po të kishte ikur nga Shqipëria, do të luante me klubet më të mëdha të Europës dhe mund të ishte sot një milioner. Por jo, ai vdiq modestisht dhe në gjendje ekonomike të ulët, sikurse dikur një shqiptar tjetër i madh i një tjetër fushe, Jeronim de Rada, që dha shpirt me një cironkë në xhep. Deri kur do të sillemi kështu me vlerat, o bashkatdhetarë me poste dhe fuqi?! Në vitin 2004, kur FIFA e rreshtoi Panon në më të mirët e 100-vjetorit, ty ish-ministër i Kulturës së asaj kohe të bëra zyrtarisht ca propozime. Por ti, jo për fajin tënd, nuk e dije dhe nuk e kuptoje kush ishte dhe kush do të jetë Panajot Pano! Tani këto propozime po i përsëris publikisht: Stadiumi Kombëtar duhet të ketë në hyrjen kryesore statujën e tij, siç edhe ndodh në të gjithë stadiumet e mëdha në Europë dhe më gjerë. Diploma e Akademisë së Sporteve “Vojo Kushi” do të ishte mirë që për degën e futbollit të emërohej në mënyrë honorifike, Diploma “Panajot Pano”. Dhe, së fundi, por jo nga radha. Stadiumi Kombëtar duhet të quhet Panajot Pano. E respektoj Qemal Stafën, jetën dhe idealin e tij lidhur me rrethanat dhe kohën. Por, ka një shkollë të mesme që mban emrin e tij. Ka një ditë dëshmorësh që lidhet me vrasjen e tij, ka një shoqatë politike me emrin e tij. Ai nuk ka pasur lidhje me futbollin. Unë jam i bindur që po të pyeten pinjollët e familjes Stafa, por edhe vet Qemali në botën e eterit, ku prehet prej gati 7 dekadash, ai do të thoshte: “Unë jam atje pa lejen time”. Stadiumi të mbajë emrin e atij që e meriton! Ky është, dhe jo vetëm për mua, Panajot Pano! Ceremoniali i tij do të na mbledhë të gjithëve, por dëshiroj jo tek Shtëpia e Oficerëve, por brenda në stadium, sepse Pano i takonte gjithë Shqipërisë. Ceremoniali shtetëror duhet të ndryshojë, dhe atje ku prehen dëshmorët e atdheut do duhet të hapet edhe parcela me ata që janë “Nderi i Kombit”. Nuk duhet që patjetër të vritesh në betejë që të prehesh atje. Gjithçka tjetër që sillet në ritualin kurorë ose buqetë me lule dhe pastaj ca fjalë para kamerave, është tashmë më shumë se i konsumuar. Shtyllat e kombit në të gjitha fushat janë si vet kombi, jetojnë me të, i shërbejnë atij dhe nuk shuhen si edhe vet ai. Panajot Pano është njëri nga ata. Lamtumirë i thjeshti, mitiku Panajot Pano! Jam krenar dhe i privilegjuar që jetova në kohën tënde dhe u rrita e u edukova me mjeshtërinë tënde unikale! (Gsh/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›