E Hënë, 2 Nëntor 2026

Incidenti në Mitrovicë, drejtori i Policisë së Kosovës: Në qafën e nxënësit serb kishte ngjyrë të kuqe me bojë tushi, jo gjak

Incidenti i ndodhur ditë më parë ndaj maturantëve të Mitrovicës së Veriut, ku Serbia lëshoi edhe urdhërarrest ndaj një efektivi policie, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i ka quajtur “të pavërteta”.

Sipas palës serbe, maturanti u lëndua gjatë një manifestimi për ditët e fundit të shkollës si rezultat i veprimeve policore, por Hoxha deklaroi se në qafën e maturantit nuk ka pasur gjak, por ngjyrë të kuqe me bojë tushi, siç kishin edhe shumë nxënës të tjerë.

“Janë evidentuar imazhet e shfaqura tek personi në hapësirën e qafës, ku pretendohet se ai kishte gjak. Por kjo ka rezultuar të ishte bojë me ngjyrë. Nga këto imazhe është vërtetuar se shenjat me ngjyrë në qafë i njëjti i kishte pasur edhe para intervenimit të zyrtarëve tanë. Shenja me ngjyrë kanë pasur edhe persona të tjerë pjesëmarrës. Po ashtu, edhe në deklaratën e tij zyrtare, të vetë palës, që ka dhënë dje në prezencë të prindit të tij, ka thënë se këto shenja janë vendosur me ngjyrë bojëtushi nga shokët e klasës së tij, pasi kjo është një traditë që përdorët në festat e maturantëve të shkollave të mesme në Mitrovicë të Veriut. Vlen të nënvizohet se gjatë intervistës së tij, i njëjti person del se nuk ka pasur ndonjë lëndim të dukshëm, gjë që dëshmon që ka pasur bojë me ngjyrë”, tha Hoxha.

Drejtori i Policisë tha se edhe në vetë deklaratën e tij, personi në fjalë pranon se ka pasur provokime dhe thirrje nacionaliste dhe pranon që ka bërë gjeste provokuese.

“Sipas tij, ato erdhën si reagim ndaj provokimit që kanë ardhur nga një lokal. Reagimet policore kanë qenë të tilla që vetëm të mos shkonte puna në përshkallëzim  mes të dy palëve”, tha Hoxha. 

Në këtë konferencë, Hoxha ka shfaqur fotografi që tha se janë analizuar nga ekspertët Forenzikës së Policisë, bazuar në video e fotografi të marra gjatë veprimeve të maturantëve atë ditë.

“Mund të shihet që ngjyra në qafën e maturantit ka qenë para veprimit të zyrtarit policor, çka dëshmon se nuk është gjak, por ngjyrë bojë tushi. Nuk është shkaktuar ndonjë gjakderdhje gjatë veprimit të zyrtarëve tanë policor gjatë këtij incidenti”, tha Hoxha. 

Në konferencë janë shfaqur edhe pamje të profilit të maturantit në fjalë, fotografuar gjatë intervistës ku thuhet se është vërtetuar se nuk ka asnjë shenjë që tregon se ka pasur lëndim apo gjakderdhje gjatë ballafaqimit të ndërhyrjes së policisë.

Hoxha, tha se dëshmitë janë siguruar nga kamerat që e mbulojnë atë zonë, videot e shfaqura në media, si dhe nga vetë deklarata e dhënë nga personi në prezencë të prindit të tij. 

Ai foli edhe për fletarrestin që Serbia e ka lëshuar për zyrtarin policor. 

“Njoftimi i djeshëm se ndaj policit tonë është lëshuar fletarrest është në vazhdën e përpjekjeve dhe përndjekjeve që Serbia ka bërë ndaj policëve tanë. Kjo propagandë e vazhdueshme e fabrikuar dëshmon se policia është bërë objekt i sulmeve hibride që burimin e kanë në Beogradin zyrtar”, tha ai. 

Ai ka treguar se në adresë të policit kanë shkuar shumë kërcënime me thirrje për vrasje, duke theksuar se ato po trajtohen në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. 

“Sa i përket kërcënimeve, zyrtari jonë policor ka pranuar se ka pasur kërcënime që menaxhohen nga grupe të serbëve në veri, duke bërë thirrje në vrasjen e tij. Këto kërcënime do të trajtohen seriozisht. Nuk do të lejojmë që policët tanë të bëhen objekt i sulmeve”. 

Ai ka treguar se rasti po hetohet edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Për çdo veprim që policët mund të tejkalojnë kompetencat e tyre ne do t’i trajtojmë seriozisht. Këto pretendime i kemi adresuar në IPK për t’i hetuar. Zyrtari policor është transferuar në Mitrovicën e Jugut për të evituar çdo lloj kontakti a provokimi”, tregoi drejtoi i policisë në këtë konferencë të së dielës rreth incidentit të krijuar me disa maturantë në Mitrovicën e Veriut. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›