E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Incineratori i Elbasanit shtyhet në GJKKO, shkak mungesa e avokatëve

Dështon seanca e parë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për gjykimin në themel të dosjes së incineratorit të Elbasanit me 10 të pandehur dhe dy kompani nën akuzë.

Shkak u bë mungesa e avokatit të Etleva Kondit, ish-anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave si dhe avokatit të kompanisë “Albtek Energy shpk”.

Prokurorët, Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit të të pandehurve nën argumentin se u bënë shkak për shtyrjen e seancës.

Mes 10 të pandehurve janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Alqi Bllako, të cilët nuk u paraqitën në seancë. Kujtojmë që këta të fundit ndodhen prapa hekurave.

Ndërkohë nga ana e saj Gjykata kërkoi të kërkohet informacion nga Interpol Tirana nëse janë ekzekutuar apo jo masat arrest me burg për Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugalljan.

Seanca e radhës u caktua për tu zhvilluar më datë 7 prill në orën 14:30, ndërkohë që pas kësaj date, procesi do të zhvillohet çdo të enjte 09:30.

Gazetare: Heriselda Dyrmishi

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›