E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Velipojë/ Dronët zbulojnë dy parcela me fidanë kanabisi, gati për tu kultivuar

Një operacion antikanabis ndërmarrë në Velipojë të Shkodrës çoi në asgjësimin e 2150 fidanë në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, konkretisht 1900 fidanë në territorin e fshatit Luarzë dhe 250 fidanë në territorin e fshatit Reç, anës lumit Buna.  

Operacioni u kodua “Njësia” “gjatë të cilit, falë përdorimit të dronëve, u evidentuan dhe u goditën 2 raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike” informoi sot policia.

Gjatë kontrollit në territorin e fshatit Luarzë, u gjetën 1900 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në kubikë, pjesa më e madhe e tyre e mbuluar me plastmas.  Ndërsa gjatë kontrollit në anë të lumit Buna, në territorin e fshatit Reç i vjetër, u gjetën 250 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në kubikë.

 Një pjesë e fidanëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.

Policia arrestoi në flagrancë shtetasin F. B., 55 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. B., 37 vjeç, si autorë të dyshuar të kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa.  

Operacioni vijon me identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Një ditë më parë në kuadër të një operacioni të ndërmarrë në Malësi të Madhe u zbuluan 27 sera me rreth 8 mijë fidanë kanabis. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›