E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incko dënon planet e serbëve për mbështetje ndaj Mlladiçit

I dërguari ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Incko ka shprehur shqetësimin për financimin e mbrojtjes së të dyshuarit për krime lufte dhe genocid, Ratko Mlladiç.

Qeveria e Republikës Serbe ka dhuruar 50 mijë euro për të ngritur fondin, që do ta ndihmonte Mlladiçin në Tribunalin e Hagës.

“Jam i shqetësuar për mbështetjen financiare që Republika Serbe po i jep mbrojtjes së Mlladiçit, sepse këto janë para të tatimpaguesve dhe këto janë po ashtu para të nënave të Srebrenicës”, ka deklaruar Incko.

Mlladiç akuzohet se ka kryer genocid në masakrën e Srebrenicës duke udhëhequr forcat, të cilat vranë mbi 7 mijë burra dhe djem myslimanë.

“Nuk mund të imagjinoj që një kriminel lufte i Austrisë, një kriminel nazist i luftës, do të merrte mbështetje financiare nga Republika e Austrisë. Kjo gjë po ndodh tashme dhe është tepër e mjerueshme”, tha Incko.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›