Indeksi 2010, renditemi të 23-tët, nga 163 vende
Raporti i Indeksit të Performancës Mjedisore për vitin 2010 e radhit vendim tonë në të 23-in nga 163 vende të monitoruara, një fakt domethënës ky krahasuar me raportin e vitit 2008, ku Shqipëria arriti të ngjiste 32 shkallë në renditje, duke u pozicionuar në vendin e 25-të. Për raportin e këtij viti, vendi ynë është vlerësuar me 71,4 pikë nga 100 të mundshme. Institucione të specializuara si Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin u morën me grumbullimin dhe nxjerrjen e të dhënave që janë bërë publike nga EPI. Me monitorimin, hartimin dhe publikimin e raportit që u publikua në Davos të Zvicrës janë marrë katër qendra të specializuara dhe prestigjioze ndërkombëtare për mjedisin si Universiteti i Yale-s (Qendra për Politikat dhe Legjislacionin Mjedisor) dhe Universiteti Columbia (Qendra për Rrjetin Informativ Ndërkombëtar për Shkencën e Tokës) në SHBA, Qendra Kërkimore e Përbashkët e Komisionit Europian në Ispra, Itali dhe Forumi Ekonomik.
Monitorimi i 163 vendeve u bë për 10 politika kategori ku përfshihet mjedis i shëndetshëm, cilësia e ajrit, menaxhimi i burimeve ujore, biodiversiteti dhe habitatet, pyjet, peshkimi, bujqësia dhe ndryshimet klimatike. Monitorimi në këto fusha ka përfshirë 25 tregues që kanë qenë përmbajtja në ajër e dioksidit të sulfurit, ozoni, karboni industrial, grimcat e pluhurit, emisionet në ajër për frymë të popullsisë, përdorimi i pesticideve, biodiversiteti, zonat e mbrojtura, indeksi i cilësisë së ujit etj. Treguesit e publikuar nga të dhënat e monitoruara janë vlerësuar edhe në kuadrin e masave dhe politikave që janë ndjekur për përmirësimin e tyre.
#