E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chopin nderohet edhe në Tiranë

Përvjetori Në 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit e pianistit polak, kryeqyteti i bashkohet mijëra aktiviteteve që do të organizohen në nder të tij. Më 28 shkurt, do të kryhet ceremonia e zbulimit të pllakës me emërtimin e sheshit “Chopin”

Tirana, i bashkohet Varshavës, Parisit, Londrës, Romës, Sidneit, Jerusalemit etj., të gjitha vendeve që gjatë vitit 2010 do të festojnë 200-vjetorin e lindjes së “poetit të pianos”, kompozitorit dhe pianistit virtuoz polak, Frederic François Chopin. Kremtimet e Vitit të Chopin 2010 në Shqipëri, pritet të hapen më 28 shkurt me një aktivitet kulturor-artistik të organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën “F. Chopin”, Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, Ambasadën e Polonisë dhe atë të Francës në Tiranë. Në sheshin prapa Akademisë së Arteve, në rrugën “Lek Dukagjini”, ku ndodhet busti i Chopin-it, të dielën paradite po më datë 28 shkurt, do të kryhet ceremonia e zbulimit të pllakës me emërtimin e sheshit “Chopin” dhe do të jepet një koncert në natyrë me muzikë të pianistit të famshëm polak nën interpretimin e pianistëve të rinj. 2010-a, viti i Chopin-it, “poetit të pianos”, është çelur më 3 janar në Varshavë, ku një komitet po organizon 2000 manifestime për të nderuar artistin. Një koncert dhe një ekspozitë ka çelur këto festime, të cilat kanë nisur pikërisht prej Parkut të Muzikës. Gjithashtu, Varshava ka organizuar edhe edicionin e 16 të konkursit kombëtar për piano, i cili zhvillohet deri në fund të muajit tetor. Ky konkurs ka për qëllim të zbulojë dhe të vlerësojë talente të reja. Nga data 15 qershor deri më 13 korrik në Ville Lumière do të zhvillohet festivali “Chopin në Paris”, por fillimisht më 1 mars do zhvillohet një koncert në sallën e madhe Playel në Rue du Faubourg Saint-Honoré, ditë kur edhe ka lindur kompozitori i madh polak. Gjithnjë në kryeqytetin francez, është organizuar nga UNESCO, nga data 15 deri më 13 korrik, “The Young People’s Tribute”. Londra po përgatitet për një aktivitet, data e të cilit ende nuk është bërë e ditur, në Carnagie Hall. Ndërsa në Firence, Romë e Venecia kanë nisur tashmë kremtimet, ndërsa La Scala e Milanos do t’i kushtojë një ditë të veçantë me aktivitete të ndryshme në fillim të muajit maj. Parlamenti i Varshavës e ka caktuar vitin 2010 si vitin e festimeve në nder të pianistit dhe kompozitorit më të famshëm polak. Chopin lindi më 1 mars të vitit 1810 dhe në moshën 21-vjeçare u transferua në Paris. Pas kësaj ai nuk u kthye kurrë më në atdhe. Megjithatë muzika e tij përcolli ngaherë elemente të muzikës popullore polake. Chopin ka kompozuar përherë për piano solo, por katalogu i veprave të tij përfshin edhe dy koncerte për piano e orkestër, 20 romanca për zë e piano, kompozime për muzikë dhome për piano e violonçel, piano, violonçel e violinë, piano e flaut, etj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›