E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Meta takohen me Riza Halimin dhe Ragmi Mustafën

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë mbështetje nga shteti amë

Përfaqësues të partive politike të Luginës së Preshevës kanë qenë dje për vizitë në Shqipëri ku janë pritur në një takim nga Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Tema e takimit me përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike në Preshevë ishte situata ekonomike në vend. Ata i kanë shprehur kreut të qeverisë shqiptare shqetësimin për situatën në Preshevë dhe Bujanovc, e cila sipas tyre, duket se po shkon drejt degradimit ekonomik, papunësisë, kufizimit të aksesit në arsim, militarizimit dhe si rrjedhojë, edhe e largimit prej saj të një pjese të qytetarëve shqiptarë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare ndjek me vëmendje zhvillimet dhe problemet në këtë Luginë dhe është gatshme të kontribuojë në drejtim të përmirësimit të tyre. Dyert e shkollave dhe universiteteve shqiptare, tha Kryeministri, do të jenë gjithmonë të hapura për të rinjtë kosovarë, ashtu si përpjekja jonë pranë autoriteteve përkatëse për njohjen e diplomave të tyre. Zhvillimet demokratike dhe tendenca europiane që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor, theksoi Kryeministri, do të krijojë klimë gjithnjë e më demokratike edhe në Serbi për garantimin e të drejtave humane të popullsisë shqiptare. Në vazhdim, politikanët e Luginës së Preshevës e njohën Kryeministrin lidhur me diskutimin dhe përpjekjet e tyre për krijimit e Këshillit Nacional të Luginës së Preshevës. E vlerësuar kjo si një hap i rëndësishëm nga Kryeministri Berisha si një forum, i cili bashkon shqiptarët në interesa të përbashkëta. Ndërkaq, Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se do ta ngrejë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës gjatë vizitës që do të zhvillojë së shpejti në Beograd. “Një çështje e rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve tona ka qenë dhe do të jetë avancimi i të drejtave të komunitetit shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës. Ne dëshirojmë të gjejmë një mirëkuptim në rritje, pasi Lugina e Preshevës duhet të jetë një burim stabiliteti për gjithë rajonin tonë, por njëkohësisht duhet të jetë edhe një burim mirëqenieje dhe perspektive për të gjithë banorët e saj e në veçanti për gjithë shqiptarët”, deklaroi Meta. Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, deputet i Kuvendit të Serbisë ka deklaruar se “Ne kemi probleme shumë të ndjeshme në arsim, si mosnjohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës, por kemi probleme të mëdha edhe me njohjen e diplomave të Universitetit të Tiranës dhe besoj se në këto pak çështje ne do të kemi përkrahjen e qeverisë shqiptare dhe natyrisht besoj që do të kemi përkrahjen edhe në aktivitetin aktual që kemi lidhur me formimin e Këshillit Nacional të shqiptarëve, me të cilin besojmë se do t’i zgjidhim në mënyrë më efikase problemet tona dhe atëherë do të kemi një partner edhe në strukturat shtetërore në Serbi. Kurse kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, tha se “Republika e Shqipërisë ka një përkushtim të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ndërkohë, kemi shpjeguar edhe problemet që i takojnë sferës së pazhvillueshmërisë shoqëroro-ekonomike, natyrisht edhe problemeve që u takojnë shqiptarëve në pikëpamjen e përdorimit të lirë të simbolit kombëtar”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›