Indeksi i sundimit të ligjit, Shqipëria renditet në vendin e 89 nga 142 vende në botë

Shteti i së drejtës ka rënë në nivel global, sipas Indeksit të Sundimit të Ligjit 2024, publikuar nga World Justice Project. Këtë vit, sundimi i ligjit u dobësua përsëri në 57 përqind të vendeve të anketuara.
Shqipëria renditet në vendin e 89 nga 142 vende në mbarë botën. Rajonalisht, Shqipëria renditet e 10-ta nga 15 vende në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore. Vendi ynë performon më dobët në treguesin e “Mungesës së Korrupsionit”.
Avokati Arber Hoxha ka komentuar rezultatet e kësaj renditje.
“Kemi të bëjmë me një çështje përceptimi, pra nuk i përshtatet gjithmonë realitetit. Shqipëria ka bërë hapa dhe progres të dukshëm të paktën nëse do ta krahasojmë me Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e zi. Ne kemi vendosur përpara ligjit, në fazë hetimi bëhet fjalë, një pjesë dërrmuese të ish-kryeministrit, ish presidentit apo dhe ish-zëvendëskryeministrit”, tha Hoxha
Rendi dhe Siguria janë treguesi ku vendi jonë ka marrë renditjen më të mirë duke u renditur e 54 ne rang botërore.
“Së pari është legjislacioni tepër i ashpër penal dhe së dyti popullsia homogjene”, tha avokati.
Indeksi ndërtohet në bazë të 8 faktorëve: Kufizimet në kompetencat e qeverisë; Mungesa e Korrupsionit; Qeveri e hapur; Të drejtat themelore; Rendi dhe Siguria; Zbatimi Rregullator; Drejtësia Civile; Drejtësia Penale.
/rtsh.al/