Sulmi i Izraelit ndaj Iranit, Guterres: Të ndërpriten urgjent veprimet ushtarake

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres është shprehur thellësisht i alarmuar nga përshkallëzimi në Lindjen e Mesme pas sulmeve me raketa të Izraelit ndaj Iranit.
Sipas zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres u bën thirrje të gjitha palëve që të ndërpresin veprimet ushtarake duke nisur që nga Gaza, Libani e deri tek përplasja ushtarake mes Izraelit dhe Iranit.
“Sekretari i Përgjithshëm përsërit urgjentisht apelin e tij për të gjitha palët që të ndërpresin të gjitha veprimet ushtarake, duke përfshirë Gazën dhe Libanin, të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar një luftë gjithëpërfshirëse rajonale dhe për t’u kthyer në rrugën e diplomacisë”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Ndërkaq, liderët evropianë, udhëheqësit evropianë kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje pasi një valë sulmesh hakmarrëse izraelite shënjestroi objekte ushtarake iraniane.
Ministria e Jashtme franceze ka nënvizuar se duhet të ndalet çfarëdolloj përshkallëzimi i mëtejshëm, duke theksuar se “Franca ka mësuar për njoftimin e Izraelit për sulme kundër objektivave ushtarake në Iran. Franca u kërkon menjëherë palëve që të përmbahen nga çdo përshkallëzim apo veprim që mund të përkeqësojë situatën”.
Nga ana e saj, Zvicra ka nënvizuar se “dënon përshkallëzimin e rrezikshëm të dhunës në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmet e sotme ajrore të Izraelit në Iran”.
“Armiqësitë duhet të pushojnë nga të gjitha anët për të shmangur përkeqësimin e përshkallëzimit rajonal”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme zvicerane.
Po ashtu, kancelari Olaf Scholz ka deklaruar se palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund dhunës në Lindjen e Mesme.
“Mesazhi im për Iranin është i qartë: reagimet masive të përshkallëzimit nuk duhet të vazhdojnë. Kjo duhet të marrë fund tani. Atëherë do të ketë një mundësi për zhvillim paqësor në Lindjen e Mesme,” ka shkruar Scholz në rrjetin “X”.
/rtsh.al/