E Diel, 1 Nëntor 2026

Indonezi, mbytet trageti, 29 persona humbin jetën

Një traget i tejmbushur është fundosur në ishullin e Riaut në Indonezi, për shkak të motit të keq dhe dallgëve gjigante, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 29 personave, ndërsa 245 pasagjerë kanë shpëtuar për mrekulli. 17 të tjerë rezultojnë të humbur. Lajmi është dhënë nga Rustam Pakaya, funksionar i Ministrisë së Shëndetësisë vendase. Në bordin e tragetit "Duama Express 10" ishin 291 persona, mes të cilëve 13 anëtarë të ekuipazhit. Më herët, një funksionar i Ministrisë së Transporteve kishte thënë në një konferencë për shtyp në Xhakarta se pasagjerët e regjistruar ishin 213, mendohej se trageti mund të transportonte maksimumi 273 persona. "Mospërputhja mes pasagjerëve të regjistruar dhe atyre realë është e mundshme. Raste të tilla ndodhin për shkak të moszbatimit të rregullave të ndryshme", ka thënë Sunaryo, drejtori i përgjithshëm i transportit detar, duke shtuar se koha e keqe dhe dallgët thuajse gjashtë metra të larta pengojnë kërkimet dhe operacionet e shpëtimit. Mes viktimave mësohet se ka pasur edhe fëmijë. Shumë prej të shpëtuarve kanë arritur të dalin falë ndihmës së menjëhershme që u janë dhënë edhe nga anijet e peshkimit që kanë qenë aty pranë. "Kam parë fëmijë që ecnin lart e poshtë nëpër traget dhe që përpiqeshin të shpëtonin, por nuk kishte xhaketa shpëtimi për të gjithë", tregon një i mbijetuar që arriti të shpëtonte falë ndihmës së disa peshkatarëve. Një tjetër i shpëtuar tregon se: "shumë prej nesh dolën pasi thyem xhamat e dritareve në anën e majtë. Ishte e vetmja rrugë për të shpëtuar, pasi një grumbull i madh njerëzish ishin mbledhur përpara dyerve". Nuk dihet nëse ka pasur pasagjerë brenda tragetit që është fundosur krejtësisht. Kreu i policisë së Riau-t, Puji Hartanto, shpjegoi në një televizion lokal se trageti po udhëtonte nga Batami, afër Singaporit, në ishullin Dumai, në arkipelagun e Riaut, kur dallgët kanë nisur të bëhen gjithmonë e më të mëdha. Kërkimet për të mbijetuarit, që u ndërprenë gjatë natës, priten të fillojnë sërish në mëngjes.

Një tjetër traget "Dumai Express 15", me 278 persona në bord, u ankorua pasi u godit nga dallgë të larta. Por të gjithë pasagjerët e tij mbijetuan. Aksidentet e shumta detare, të lidhura me mbipopullimin dhe gjendjen e trageteve, vrasin me qindra pasagjerë në Indi çdo vit. Popullsia e madhe e vendit është e shpërndarë në 17.000 ishuj, ndaj transporti detar frekuentohet shumë në vend. Në tre vitet e fundit të paktën 800 veta kanë humbur jetën nga mbytja e trageteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›