Indonezi, viktimat e tërmetit mund të jenë me mijëra
Tëmeti që goditi të mërkurën qytetin e Padangut në ishullin indonezian të Sumatras, mund të ketë shkaktuar mijëra viktima. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i njësisë për krizën në ministrinë e Shëndetësisë në Indonezi. Ndërkaq janë të paktën 464 persona të vdekur të konfirmuar. Lëvizja sizmike goditi vendin pak orë pas përplasjes së cunamit në ishujt Samoa, në Paqësor. Lëvizja sizmike sipas autoriteteve ishte me magnitudë 6.8 ballë. Një tërmet tjetër më magnitudë 6.3 ballë është ndjere gjithashtu edhe në kufirin ndërmjet Perusë dhe Bolivisë. Tërmeti në Indonezi ka provokuar dëme të mëdha materiale, ndërsa janë plagosur më shumë se 500 persona të tjerë. Sipas burimeve zyrtare indoneziane, tërmeti më i rëndë që ka tronditur kryeqytetin e Sumatrës Perëndimore, Padang, ka provokuar 376 të vdekur. Tërmeti më i fundit duket se ka shtuar frikën se viktimat mund të jenë me mijëra duke qenë se shumë prej tyre mund të jenë ende nën rrenoja. Sizma ka shkaktuar shëmbjen dhe dëmtimin e të paktën 500 ndërtesave. Edhe të enjten është ndjerë një tjetër levizje sizimike, por pa provokuar të tjerë viktima. Në maj të 2006-ës, një tërmet me magnitudë 6.3 ballë, me epiqendër në qytetin qendror te Javas, vrau më shumë se 5000 njerëz ndërsa besohej se mund të nxiste shpërthimin e një vullkani. Ndërsa tërmeti i së mërkurës, u regjistrua rreth orës 5 sipas orës lokalë, rreth 53 km nga Padangu, një qytet me më shumë se 800 000 banorë.