Letër e Gandit për grevistët e urisë
Unë, disa e dinë e disa nuk e dinë, jam nga ata që e kam përdorur atë që ju e quani grevë urie, fetarët agjërim dhe unë thjesht mosngrënie, ndofta më shumë se të gjithë të tjerët. E kam filluar kur isha foshnjë, kur imitoja nënën në ritet fetare dhe e kam përfunduar për të vënë rregull në shoqërinë tonë, disa ditë para vdekjes, kur isha 79 vjeç. E kam përdorur si mjet purifikimi, si mjet përmbajtjeje, si mjet vetëkufizimi, por edhe si mjet vetëndëshkimi, kur një punë që kisha nisur nuk shkonte mirë, edhe si mjet proteste për paudhësi të të tjerëve. E kam quajtur atë si një armë të asaj që të tjerët e quajnë qëndresë civile, kurse unë e kam quajtur me një term hindi, “satiagraha”, që po ta përkthesh shqip do të thotë qëndresë për të vërtetën, devocion për të vërtetën. Edhe këtë, ndofta nuk e dini, prandaj, po jua them që në krye: për mua e vërteta është parimi sovran, prej të cilit rrjedhin të gjitha parimet e tjera. Nuk ka asgjë më të lartë se e vërteta. E vërteta nuk i nënshtrohet asgjëje: për ju atje - as përfitimeve politike, as vizave dhe as integrimit. Unë kam qenë gjithnjë kundër fshehjes. Më pas kundër fshehjes doli edhe Gorbaçovi, kur paraqiti si pjesë të doktrinës së tij “gllasnosin”, domethënë transparencën, hapjen. Unë çdo gjë e bëja krejtësisht haptas dhe isha gjithnjë i gatshëm të më kontrollonin. E dija se çdo gjë që mbahej e fshehtë, mbahej se kishte brenda një pisllëk. E di se ajo që kërkoni ju, hapja e kutive të votimit, pra gllasnosti, përveçse do t’ju ndihmojë ju në interesat politike imediate që keni, do të ndihmojë më shumë popullin të kuptojë se ç’ndodh në kurriz të tij nga ata që e drejtojnë dhe që i shiten për burra të mirë. E kjo jua shton meritën.
Dhe tashti, po ju tregoj disa raste të mosngrënieve të mia për të arritur qëllime të caktuara.
Isha ende në Afrikën e Jugut, kur në një nga ashramet që kisha ngritur aty për të eksperimentuar llojin e shoqërisë që doja të krijoja, kishte ndodhur diçka imorale midis pjesëtarëve. Duke ndjerë përgjegjësinë që kisha për mbarëvajtjen e ashramit, mendova dhe kreva një mosngrënie dyjavore. Mosngrënia ime e pastroi plotësisht atmosferën në ashram dhe kjo më dha të kuptoja se mosngrënia kishte forcë.
Mosngrënien e parë për probleme të të tjerëve e nisa në Indi. Në qytetin ku isha vendosur, në Ahmedabad, plasi një mosmarrëveshje midis punëtorëve dhe pronarëve të industrisë tekstile. Punëtorët më thirrën për ndihmë. Unë shkova dhe i udhëzova që të fillonin një grevë, duke u shpjeguar edhe rrugën që duhej të ndiqnin punëtorët gjatë grevës, të cilën duhet ta çonin deri në fund. Punëtorët e filluan me shumë entuziazëm grevën, por me kohë filloi shkrehja. Lodhja psikike dhe mungesat ekonomike shpreheshin me nervozizëm. Disa donin të ktheheshin në punë, nuk e përballonin dot. Unë fillova t’i trembesha prishjes së grevës dhe të mendoja se ç’duhej bërë. Ndërsa po bëja një mbledhje me grevistët, aty për aty m’u shkrep një mendim e u thashë: “Në qoftë se ju nuk do ta çoni grevën deri në fund, unë nuk do të prek ushqim me dorë”. Në të vërtetë nuk e thashë aq shumë për kërcënim, sesa për të ndëshkuar veten, sepse ndjehesha fajtor i tërthortë. Punëtorët u tronditën, disave filluan t’u rridhnin lot. Më kërkuan falje dhe më premtuan se do ta çonin grevën deri në fund. Greva përfundoi me marrëveshje dhe problemet u zgjidhën. Greva e punëtorëve zgjati 21 ditë, ndërsa mosngrënia ime - 3 ditë.
Një herë tjetër, në vitin 1922, kur po përgatiteshim të fillonim një fushatë të gjerë të mosbindjes civile, e cila duhej të ishte krejtësisht e padhunshme, në një fshat, në çaura-çaura, u kryen barbarizma pikërisht nga luftëtarët tanë. Unë e pezullova të gjithë fushatën e mosbindjes civile dhe vendosa të kryeja një mosngrënie. Për mosngrënien dhe për ndërprerjen e fushatës i kisha kundër gati të gjithë, ndonëse disa donin të më shoqëronin në mosngrënie. Për mua ishin më të rëndësishme parimet e së vërtetës dhe mosdhunës, se fitoret e përgjakshme. Ndjeja përgjegjësi për degjenerimin e fushatës dhe i thashë djalit: “Të fillosh mosbindjen civile në një atmosferë egërsie, është njëlloj si të futësh dorën në vrimën e gjarprit… Puna ime i ngjan asaj të një gruaje që do të lindë, që vuan dhe ndjen dhembje, ndërsa të tjerët vetëm ndihmojnë. Unë dua të lind idealet e mosdhunës dhe të vërtetës, kështu që vetëm unë duhet të mbaj dhembjet e mosngrënies”.
Pasi kreva mosngrënien që zgjati pesë ditë, më arrestuan dhe më akuzuan si “nxitës të trazirave të dhunshme”. Më dënuan me gjashtë vjet burg edhe pse isha unë ai që e kishte dënuar dhunën.
Pasi dola nga burgu, shkova për të jetuar në shtëpinë e një myslimani. Në këtë kohë, në një vend të Indisë, në Kohat, plasën përleshje midis hinduve dhe myslimanëve gjatë të cilave u vranë mbi njëqind persona. Shkak u bë një libër që i zemëroi myslimanët të cilët vranë autorin. Për këto trazira unë vendosa të mos haja për 21 ditë. Mosngrënia do të kryhej për miqësinë që duhej të ekzistonte midis hinduve dhe myslimanëve. Kërkova që mbarimi i mosngrënies të shoqërohej me një ceremoni në të cilën të dëshmohej uniteti fetar, duke recituar bashkërisht vargje nga Kurani, si dhe duke kënduar himne hindu dhe të krishtere.
Një mosngrënie tjetër, por këtë herë deri në vdekje, e nisa për problemin e të paprekshmëve në vitin 1932, gjatë kohës që isha i burgosur. Në kohën time, në Indi kishte rreth 60 milionë njerëz që ne i quanim të paprekshëm, të cilët as nuk mund të prekeshin dot se të ndotnin, pa le më t’i kishe shokë, apo t’u jepje të drejtat që kishe edhe ti. Ata ishin shtresa më e shtypur e Indisë. Me një sistem të ri të votimeve që kishin vendosur britanikët, këtyre u liheshin disa vende të posaçme në Parlament, të cilat mund t’i zinin vetëm ata. Për shumë, kjo gjë dukej e mirë, për mua kishte një hile: kjo synonte që të paprekshmit të ndaheshin politikisht nga trungu indian. Unë doja dhe kisha punuar shumë që të paprekshmit të kishin të njëjtin status me të gjithë indianët e tjerë, të integroheshin plotësisht në shoqërinë indiane, unë doja që ata të ishin shpirtërisht së bashku me të gjithë indianët e tjerë, që hindutë të hiqnin paragjykimet dhe diskriminimet ndaj tyre. E kundërshtova përçapjen britanike dhe premtova të nisja një mosngrënie pa afat. U thashë: ”... Prandaj, në qoftë se qeveria do të vendosë të krijojë një elektorat të veçantë për të paprekshmit, unë do të kryej një mosngrënie deri në vdekje. Hapi që po ndërmarr nuk është taktik, ai është pjesë e qenies sime”.
Lajmi se unë nuk do të haja, se do të vdisja, u përhap nga një kënd në një tjetër të Indisë. Më 20 shtator të vitit 1932, dita e fillimit të mosngrënies u kthye në një ditë lutjesh dhe mosngrënjesh masive në të gjithë Indinë.
Unë kisha kryer edhe më parë mosngrënie, madje edhe për njëzetenjë ditë pa rrezikuar jetën. Por tashti ishte ndryshe, mosha nuk më lejonte për mosngrënie të zgjatura. Mosngrëniet e mëparshme nuk vareshin nga ndonjë rezultat konkret dhe kishin kohëzgjatje të caktuara. Mosngënia e tanishme varej nga një rezultat konkret dhe ishte pa cak.
Gjatë mosngrënies, indianët pyesnin njëri-tjetrin se përse po e rrezikoja jetën unë. Përgjigjja ishte: “Hindutë i trajtojnë keq të paprekshmit dhe nuk u hapin atyre dyert e tempujve”. Lajmi se unë po fikesha, se unë po vdisja, përhapej kudo. “Duhet të nxitojmë”, kërkonte populli. Sapo filloi mosngrënia, u hapën dyert e shumë tempujve për të paprekshmit, dyer që nuk ishin hapur për mijëra vite. Në Delhi, hindutë me kastë dhe të paprekshmit demonstruan vëllazërim nëpër rrugë. Në Universitetin Hindu të Benares dekani dhe shumë brahminë hëngrën së bashku me të paprekshmit, me shërbyesit dhe me fshesarët. Nxënësit hindu u ulën në të njëjtat banka me të paprekshmit. Puset e ujit u përdorën bashkërisht, rrugët po ashtu. Znj. Swarup Rani Nehru, nëna ultraortodokse hindu e Xhauaharlalit, pranoi ushqim nga duart e një të paprekshmi. Mijëra gra të tjera hindu ndoqën shembullin e saj. Gjatë ditëve të mosngrënies që ngjanin si ditë zije, martesat e planifikuara u shtynë, shumë nuk shkonin në kinema, në teatër apo në restorante. Organizata, unione të ndryshme, shoqata, në fshatra dhe në qytete, hartuan rezoluta me të cilat premtonin të ndërprisnin diskriminimin ndaj të paprekshmëve. Kopje të këtyre rezolutave kishin krijuar një pirg të madh letrash në oborrin e burgut ku ndodhesha unë. Një shpirt reformimi, vetëndëshkimi dhe vetëpastrimi, një revolucion religjioz, moral, psikologjik dhe social përshkoi të gjithë Indinë. Veprimi im ndikoi në mënyrë mistike. Asnjë marrëveshje dypalëshe politike imja me Ambedkarin, kryetarin e të paprekshmëve, nuk do të arrinte në atë përfundim pa ndihmën e mosngrënies.
Në Konferencën e Drejtuesve Hindu që u mbajt më 25 shtator në Bombei u vendos njëzëri që, andej e tutje, asnjë indian nuk do të konsiderohej si i paprekshëm. Të paprekshmit do të ishin këtej e tutje si të gjithë hindutë, do të përdornin puset publike, rrugët publike dhe institucionet publike. Problem mbetej hyrja e tyre në tempujt hindu. Kundërshtimi për këtë ishte i madh. Shumë hindu brahminë fanatikë kërcënuan se do të futeshin edhe ata në grevë urie, në qoftë se do të lejoheshin të paprekshmit të shkelnin në tempujt e tyre.
Ambedkari negocioi me udhëheqësit hindu dhe arriti në një marrëveshje kompromisi, duke u bërë lëshime të ndërsjella. Qeveria britanike u mblodh dhe e miratoi planin. Unë e ndërpreva mosngrënien duke pirë një gotë lëng portokalli.
Pas kësaj, Nehruja do të shkruante: “U zemërova me të që përdorte mjete fetare e sentimentale, si dhe që fuste kudo Zotin për çështje politike, por- vazhdonte ai - Bapu (kështu më thërrisnin) kishte një prirje të veçantë të bënte atë që duhej bërë në një çast të caktuar. Veprimi i tij, i pamundur sipas pikëpamjes sime, çonte në përfundime të mëdha, jo vetëm në fushën e ngushtë ku kufizohej, por në aspektet më të gjera të luftës sonë”.
Ndërsa, vajzës së tij, Indira, do t’i thoshte: “Bapu është njeri i jashtëzakonshëm dhe është shumë vështirë ta kuptosh. Por, njerëzit e mëdhenj gjithnjë kanë qenë të vështirë për t’u kuptuar. Ai i mund kundërshtarët me dashuri dhe sakrificë. Me mosngrënien e tij ai ndërroi fytyrën e Indisë. Ai me një të goditur shtriu për tokë paprekshmërinë”. Mosngrënia ime këtë herë zgjati 5 ditë.
Dhe tashti, t’ju tregoj për mosngrënien time të fundit që u zhvillua kur isha 79 vjeç.
Në prag të pavarësisë, në Indinë që po ndahej për të krijuar Pakistanin, plasën trazirat më të mëdha fetare në historinë e saj. Më 12 janar të vitit 1948 lajmërova se të nesërmen do të filloja një mosngrënie pa afat si protestë për armiqësitë midis hinduve, myslimanëve dhe sikhëve, si protestë për luftimet dhe masakrat e tyre. Ajo mosngrënie do t’i drejtohej vetëdijes së të gjithëve. Në qoftë se mosngrënies sime do t’i përgjigjeshin të gjithë, unë do ta ndërprisja, në qoftë se do t’i përgjigjej vetëm një grup, do të shkoja të jetoja midis atij grupi. Mbesës sime i thashë: “Këtë radhë mosngrënia ime nuk do të jetë vetëm kundër masakrave të hinduve dhe myslimanëve, por edhe kundër ‘Judave’ që, të maskuar, tradhtuan veten, mua dhe shoqërinë (E kisha fjalën për pushtetarët e rinj që shpërdoronin pushtetin për interesat e tyre). Mosngrënia fillon që nga mëngjesi i nesërm. Kohëzgjatja është e pacaktuar... Ajo do të përfundojë kur të bindem se ka ndodhur një bashkim zemrash i të gjitha komuniteteve, bashkim që do të kryhet jo nga presioni im, por nga zgjimi i ndjenjës së detyrës... Një mosngrënie e pastër, sikundër edhe detyra, e ka në vetvete shpërblimin. Nuk po i hyj mosngrënies për hir të përfundimit që mund të sjellë. E bëj atë sepse duhet. Prandaj i kërkoj secilit që, pa pasion, të shqyrtojë qëllimin dhe, në qoftë se duhet, të më lejë të vdes në paqe. Vdekja për mua do të jetë një shpëtim i lavdishëm, kundrejt të qenët dëshmitar i pashpresë i shkatërrimit të Indisë, hinduizmit, sikhizmit dhe islamizmit”.
Mijëra sikhë, myslimanë dhe hindu vinin te Shtëpia Birla ku zhvilloja grevën për të më parë dhe për të demonstruar miqësinë midis tyre, duke hedhur parulla për paqe dhe miqësi. Të gjithë premtonin se do ta donin njëri-tjetrin, ashtu siç më donin edhe mua. Qindra telegrame më vinin nga të gjitha anët e Indisë, nga maharaxhatë dhe nga myslimanët e Pakistanit, me të cilat më kërkohej ndërprerja e mosngrënies.
Mosngrënia zgjati 7 ditë. Në 18 janar unë e ndalova atë, kur mbi 100 udhëheqës hindu, sikhë, myslimanë, të krishterë dhe çifutë; kur përfaqësues të organizatave militante paramilitare hindu; kur Komisionari i Lartë i Pakistanit; kur udhëheqës indianë, nënshkruan një deklaratë me 7 pika, me të cilën premtonin të jetonin në Delhi si vëllezër, në miqësi të plotë, se do të mbronin jetën, pronën dhe besimin e myslimanëve, deklaratë të cilën ma paraqitën.
Të gjitha këto që ju tregova shkurtimisht, si dhe shumë të tjera nga lufta ime për të vërtetën dhe për të drejtën, ju mund t’i lexoni në shqip në librin që ka dalë për jetën time.
Dhe tashti, disa fjalë për problemet tuaja. E marrë veçmas, çështja për të cilën protestoni, çështja për të cilën keni vendosur të sakrifikoni ju, mbi dyqind burra e gra, djem e vajza, është çështje për të vërtetën, një nga çështjet më të drejta që meriton çdo sakrificë. Por, po të doni ta shihni më mirë të vërtetën, duhet të kaloni pak para zgjedhjeve dhe të kujtoni që edhe ju keni fajet tuaja. Me dëshirën tuaj, ju bëtë një ligj zgjedhjesh që parakuptonte hilet që do të kryheshin gjatë procesit zgjedhor. Ju bëtë një ligj që zota të zgjedhjeve të ishin dy partitë kryesore: partia juaj dhe partia kryesore kundërshtare. Këto parti do t’i administronin zgjedhjet sipas interesave të tyre dhe të dyja do të përfitonin në dëm të partive të tjera. Por ju harruat që në një lojë hilesh fiton ai më i djallëzuari dhe ai më me përvojë. Kështu ju i humbët zgjedhjet. Në të ardhmen ju nuk duhet të punoni për të përfituar diçka padrejtësisht, por për ta fituar atë me meritë, me shërbim. Ndershmëria, thonë anglezët, është politika më e mirë, edhe pse ata vetë nuk e zbatojnë këtë. Morali dhe ndershmëria duhet të përshkojnë të gjithë aktivitetin tuaj, të partisë tuaj dhe të gjithë shoqërisë. Nuk ka njeri që të ketë thënë fjalë më me mend se Martin Luter Kingu, kur shprehej: “Ka një ligj në botën morale – një ligj të heshtur, të padukshëm, të detyrueshëm, të ngjashëm me ligjet e botës fizike, i cili na kujton se jeta mund të zhvillohet vetëm në një lloj mënyre… Zoti ka vënë brenda strukturës së universit disa ligje morale absolute. Ne as nuk mund t’i sfidojmë dhe as nuk mund t’i thyejmë ato. Në qoftë se nuk u bindemi, ato do të na thyejnë. Forcat e së keqes përkohësisht mund ta mundin të vërtetën, por e vërteta do ta vejë poshtë armikun e saj”.
Ju duket se e keni kuptuar tashmë gabimin e bërë dhe po ngriheni për atë që është më e rëndësishmja e të gjitha të rëndësishmeve: për të vërtetën. Kjo tregon se keni ecur përpara, se keni kaluar nga psikologjia e hiles, në atë të ndershmërisë. Ndonëse kryetari juaj është një njeri dinamik, me vlera të padiskutueshme e që ju duhet ta çmoni, në përputhje me ato që kam bërë unë, që bëja vetë më parë atë që duhej ta bënin të tjerët, mund të rekomandoja që i pari që do të duhej të niste grevën e urisë, do të duhej të ishte pikërisht ai, si përgjegjës për bashkëpunim për ligjin e zgjedhjeve, pra për bashkëpunim me të keqen. Dhe, i dyti, që duhej të kryente mosngrënie, duhej të ishte Presidenti juaj, “Babai i Kombit”, për punët që shkojnë keq e më keq në vendin e tij. Por ai nuk ka faj që nuk futet në grevë urie se, po të futej në atë lloj greve për problemet që nuk shkojnë mirë në vendin e tij, do t’i duhej të mbetej gjithë jetën pa ngrënë. Këtë ai nuk e bën dot dhe, mjerisht, edhe postin nuk e lë dot.
Shumë shpresë mos kini se do ta zgjidhni atë që kërkoni ashtu siç e doni, sepse duhet të kuptoni se është e vështirë të përdorësh mosngrënien kundër atij që është plot urrejtje, që është aq i pasionuar pas pushtetit, që është i pandjeshëm ndaj dashurisë dhe, prandaj, i pakapshëm nga një armë e saj, siç është mosngrënia. Por, e rëndësishme është që ju po ecni, që ju po zbatoni, edhe pse nuk e dini këshillën e Martin Luter Kingut që thoshte: “Kur nuk mund të fluturoni, vraponi; kur nuk mund të vraponi, ecni; kur nuk mund të ecni, zvarrituni, por mos ndaloni”! Kini parasysh edhe një gjë që kam vërejtur unë për të mos u dekurajuar: Në fillim të injorojnë, më pas të tallin, pastaj të luftojnë dhe, më në fund - ke fituar!
Janë ngritur kundër jush plot lakej të pushtetit, plot gjynahqarë, plot hipokritë, plot cinikë e plot nihilistë dhe ju thonë se po na pengoni vizat, se po na pengoni integrimin, madje, edhe se na keni bllokuar rrugën e makinës, se vuani kot, se po sakrifikoni kot, se po merrni në qafë të sëmurë, vajza e gra, por mbani mend se ç’themi ne këtu në Indi: “Një komb i aftë për sakrifica të pakufishme është i aftë të ngrihet në lartësi të pakufishme. Sa më e pastër të jetë sakrifica, aq më i shpejtë do të jetë progresi”.
Kini kujdes që greva juaj të mbetet deri në fund e padhunshme. Kini parasysh, gjithashtu, se sa më shumë mbështetës aktivë të keni jashtë, aq më shanse ka fitorja. Siç më kanë thënë, gjendja te ju sot nuk është ajo që ka qenë disa vite më parë. Në ato kohë, disa greva të ngjashme me tuajën, për shembull, ajo e ish-pronarëve, apo ajo e ish-të persekutuarve të regjimit komunist, u shpërndanë me dhunë prej po atij kundër të cilit ju jeni ngritur sot. Ai u theu brinjët dhe u nxori sytë grevistëve. Fatmirësisht, gjendja nuk është as si ajo e asaj kohe, kur disa nga ju ishin ende të mitur, kur përsëri ai, nuk lejonte protestues të bënin një miting në sheshin e të gjithëve, në sheshin “Skënderbej” dhe dërgonte aty taborët e tij të armatosur dhe i tërhiqte zvarrë, i rrihte e i arrestonte ata. Ju sot po e sfidoni atë, m’u përpara selisë së tij. Ju e keni fituar tashmë të drejtën për të protestuar për të drejtën dhe kjo nuk është pak. Megjithatë, kujdes!
Me urimet më të mira për një Shqipëri të begatë, të lirë e të qytetëruar,
Juai, Mohandas K. Gandi.