E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierët e vjetër rrezikojnë punën

Korçë Paralajmërojnë protesta nëse Ministria e Shëndetësisë nuk merr parasysh kërkesat e tyre

Infermierët e Korçës kanë hartuar një peticion kundër urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, që detyron arsimin e lartë për kategorinë që disponon diplomat e dikurshme të arsimit të mesëm dhe zëvendësimin e tyre në vitin 2012 me infermierë me arsim të lartë. Janë të paktën 150 infermierë që preken nga ky urdhër dhe që sipas sindikatës përkatëse në Korçë kanë kryer edhe punën më të madhe në vite, por që për shkak të urdhëresës së re, në rast se nuk kryejnë arsimin e lartë deri në vitin e parashikuar pritet të largohen nga puna pikërisht me motivacionin e mungesës së arsimit të lartë. Kjo ka bërë që infermierët në Korçë të zhvillojnë një takim paraprak për të hartuar një peticion me kërkesa të qarta, të cilat do t’i drejtohen Ministrisë së Shëndetësisë, ku parësore është kërkesa për arsimin part-time dhe pa pagesë në universitetet shtetërore dhe jo private. Gjatë ditës së martë, infermierët e Korçës kanë hartuar peticionin, duke paralajmëruar edhe protesta, për shkak se kategoria me vjetërsi pune dhe eksperiencë të gjatë rrezikon të humbasë vendin e punës. Ata disponojnë diplomat e dikurshme të arsimit të mesëm për infermieri. “Janë 150 infermierë që kanë vite që punojnë në spitalin e Korçës, duke mbajtur peshën kryesore të punës, të cilët preken nga kjo urdhëresë që i kushtëzon të kryejnë pavarësisht nga vitet e punës dhe mosha, kryerjen e arsimit të lartë të detyrueshëm deri në vitin 2012. Kushti është që në këtë vit nuk do të ketë më infermierë me arsim të mesëm dhe për këtë duhet që të ndjekin studimet e larta. Ne jemi pro kualifikimeve profesionale, por në radhë të parë duhet që kjo kategori që preket të kryejë studime pa pagesë dhe ne kërkojmë që kjo të kryhet në universitete shtetërore. E dyta është për shkak të rrezikut për humbjen e vendit të punës dhe ne kemi hartuar një peticion për këtë arsye pas mbërritjes së urdhrit nga ana e ministrisë, ku do të paraqesim kërkesat që kemi dhe sugjerimet pasi pavarësisht nga arsimi i mesëm që kanë kryer më parë këta infermierë kanë përfituar eksperiencën e gjatë në sajë të viteve të punës”, është shprehur kryetari i sindikatës së infermierëve, Guri Nasto. Sipas tij, kjo kategori pranon arsimin e lartë, por me kushtin e part-time-it ose të arsimit shtetëror dhe jo privat, që do të thotë pa qenë nevoja që të paguajnë këto vite deri në 2012 për marrjen e diplomës. Kjo gjë thonë ata duhet të sigurohet nga shteti. Infermierët kanë paralajmëruar protesta në rast se urdhri do të çojë në penalizimin me shkurtimin e vendeve të punës dhe nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›