Gazetarët: BE të financojë shtypin që është në krizë
Në kundërpërgjigje të krizës me të cilën po përballet gazetaria në Europë, veçanërisht shtypi i shkruar, sindikatat e gazetarëve në të gjithë kontinentin pritet të nisin një fushatë për të bërë presion ndaj Bashkimit Europian, në lidhje me inkurajimin e vendeve anëtare për të mbështetur dhe ndihmuar këtë sektor.
Nëse qeveritë japin fonde për galeritë e arteve në mënyrë që të mbrojnë pluralizmin kulturor, sipas gazetarëve, po këto shtete mund të financojnë dhe të ndihmojnë financiarisht edhe pluralizmin e informimit. Në takimin vjetor të Federatës Europiane të Gazetarisë në Stamboll, në të cilin morën pjesë sindikata të gazetarëve nga 24 vende, u vendos që të nxitej Brukseli për të bërë diçka për të zgjidhur krizën e shtypit të shkruar, që po bëhet gjithnjë e më e thellë. “Shkurtimi i fondeve për të paguar opinionistët, përkeqësimi i pagave dhe kushteve të jetesës dhe gazetaria joetike, kanë krijuar një spirale rënieje për median dhe demokracinë në Europë”, deklaroi në mbledhje Arne Koning, president i organizatës.
Në mënyrë më konkrete, sindikatat pritet që të lobojnë në Bashkimin Europian dhe te parlamentarët përkatës që të nxisin vendet anëtare të BE-së, që të ndihmojnë gazetarinë përmes hapjes së një debati kombëtar, për forcimin e gazetarisë si një e mirë që u vlen të gjithëve, pra si një e mirë publike”.
çështja më e rëndësishme e krizës është mungesa gjithnjë e më e madhe e parave në këtë sektor, duke qenë se bizneset po paguajnë gjithnjë e më pak për reklama në faqet e gazetave. Mbylljet e shumë gazetave në Europë dhe shkurtimi i vendeve të punës përkthehen me një rënie të standardeve gazetareske dhe shërbimi që gazetaria i ofron shoqërisë përmes informimit dhe opinionbërjes. Kriza financiare e gazetarisë duhet të zgjidhet menjëherë dhe sindikatat e gazetarëve do të fillojnë presionin ndaj Bashkimit Europian për ngritjen fillimisht të një grupi ekspertësh të nivelit të lartë, që do të merret me analizimin e pasojave të rënies së sektorit të gazetarisë dhe si pasojë dëmet që ka prej kësaj demokracia dhe më pas për krijimin e një sërë propozimesh të duhura, për një politikë të mirëfilltë të mbështetjes së medias.
“Nga Suedia në Portugali e në të gjitha vendet brenda dhe jashtë Bashkimit Europian, sektori i medias po vuan dhe politikëbërësit europianë nuk kanë bërë deri tani mjaftueshëm për të mbrojtur etikën në gazetari”, ka deklaruar kreu i sindikatës suedeze. “Ne do të këmbëngulim për hapjen e një debati për financimet publike të medias. Qeveritë në të gjithë Europën financojnë vazhdimisht galeritë e artit, teatrin, baletin dhe operën në interes të pluralizmit kulturor. Në të njëjtën mënyrë, ato duhet që të veprojnë edhe me gazetarinë”, ka vazhduar ai. Sipas pjesëmarrësve, shkaku i krizës është largimi i bizneseve nga reklamimi në faqet e gazetës dhe, sigurisht, edhe informacioni “online”.
#