E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni i gushtit në Kosovë rreth 3 për qind

Prishtinë, 26 gusht – Xhepat edhe ashtu të cekët të qytetarëve janë duke u shterur nga muaji në muaj. Vala e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore vazhdon me ritëm të shtuar. Muaji gusht pritet të jetë kampion i ngritjes së çmimeve përderisa as edhe një reagim nuk është parë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës. Këtë muaj pritet që inflacioni të rritet deri në tre për qind. Zyrtarët e Departamentit të Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, edhe pse janë në grumbullim të çmimeve të këtij muaji, ata parashohin këtë inflacion që është edhe 10 herë më i lartë se një muaj më parë.
“Ne jemi duke i grumbulluar të dhënat për muajin gusht dhe tek në fillim të muajit tjetër mund të dalim me indeksin e tërësishëm të çmimeve të konsumit në Kosovë. Sipas parashikimeve, këtë muaj do të kemi një inflacion deri në 3 për qind, ngase produktet më të konsumuara kanë pësuar ngritje çmimesh”, tha Ilir Berisha, drejtor i Departamentit të Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare.
çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 0,3 për qind në muajin korrik, krahasuar me muajin qershor. Ngritje e çmimeve është vërejtur te pemët, te përdorimi i pajisjeve për transportin personal, qumështi, djathi dhe te vezët e duhani. Rënie e çmimeve është vërejtur te perimet. Por, në muajin gusht është vërejtur një ngritje e çmimesh tek produktet e miellit dhe derivateve të naftës që, sipas Berishës, ndikojnë më së shumti në indeksin e përgjithshëm të çmimeve duke krijuar një inflacion të ndjeshëm.
Sipas disa parashikimeve, çmimet e të gjitha produkteve ushqimore do të rriten për rreth 25 deri më 30 për qind. Si arsye për shtrenjtim përmendet thatësia në disa pjesë të Evropës dhe kërcimi i çmimeve tek kulturat e drithërave. Në Kosovë do të ndikojë edhe ngritja e akcizës në derivatet e naftës.
Rritja e çmimeve ndikon direkt tek jetesa e qytetarëve duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e të ardhurave mujore të tyre përdoret për ushqim.
"çdo gjë është e shtrenjtë për standardin tonë. Ne pensionistët jemi me pak para, kurse çmimet këtë vit janë shumë të larta. Asnjëherë nuk kanë kushtuar kaq në këtë periudhë të vitit", tha Ejupi, derisa po blinte pemë dhe perime në njërin nga marketet e kryeqytetit.
Rritja drastike e çmimeve pranohet edhe nga tregtarët, ata shprehen se kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së prodhimit vendas në treg dhe furnizimit me import. çmimet e larta janë shoqëruar edhe me rënie të ndjeshme të blerjeve.
Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se me këtë trend të rritjes së çmimeve një familje mesatare në Kosovë nuk mund të përballojë muajin pa sakrifikuar shumë.
“Kur i krahasojmë këto çmime në raport me cilësinë dhe në raport me sasinë që ofrohet si kompensim ose si kundërshpërblim për atë çmim del se ato çmime janë gjithmonë në luhatje, fatkeqësisht, gjithmonë në rritje dhe gjithmonë e pëson i fundit, e pëson konsumatori, i cili për cilësinë më të ulët dhe për peshë më të vogël paguan çmim më të lartë”, tha ai.
Sipas Kaçanikut, nëse e krahasojmë me të ardhurat personale, në Kosovë çmimet janë të pakrahasueshme.
“Nëse ne të punësuarit e vërejmë kaq shumë se kemi ngritje çmimesh, po ai 40 përqindësh i të papunëve...? Patjetër që duhet të ndërhyjë shteti për të mbrojtur konsumatorin, sepse po ky konsumator është edhe taksapagues”, thotë Kaçaniku.
Sipas tij, çmimet mund të ngrihen edhe më shumë nëse nuk kemi një reagim të Qeverisë. Por kjo e fundit ka thënë se është në vëzhgim të situatës përderisa nuk dëshiron të ndërhyjë në tregun kosovar që njihet si treg i lirë i shitjes dhe i blerjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›