E Diel, 1 Nëntor 2026

Inflacioni në prill 2026, transporti dhe kostot e banesës rrisin çmimet e konsumit

Të dhënat më të fundit të raportuara nga INSTAT për muajin Prill 2026 tregojnë një rritje të normës vjetore të inflacionit në 2,8%, duke shënuar një rritje krahasuar me prillin e vitit të kaluar, ku ky tregues ishte 2,3%. Megjithëse rritja mujore mbetet e moderuar në 0,3%, pesha kryesore e shtrenjtimit të jetesës ka rënë mbi kostot e transportit dhe shërbimeve bazë të banesës.

Transporti dhe banesa

Në ndarjen sipas grupeve kryesore, rritja më agresive vërehet në grupin “Transporti”, ku çmimet janë rritur me 8,5% brenda një viti. Ky trend ka vazhduar edhe në afatshkurtër, me një rritje prej 1,0% vetëm gjatë muajit të fundit (Mars-Prill 2026).

Nga ana tjetër, grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante”, ndonëse me një rritje vjetore prej 4,7%, mbetet ndikuesi kryesor në xhepat e konsumatorëve për shkak të peshës së madhe që zë në buxhetin familjar, duke kontribuar me +0,93 pikë përqindje në inflacionin total.

Ndërkohë që grupet si veshjet dhe këpucët kanë shënuar ulje të lehtë gjatë muajit të fundit (-0,2%), rritja e vazhdueshme e kostove të transportit dhe energjisë vijon të mbajë presion mbi fuqinë blerëse. Sektori i shërbimeve, veçanërisht restorantet dhe argëtimi, po reflektojnë gjithashtu kosto më të larta, duke treguar një transmetim të inflacionit nga kostot bazë drejt shërbimeve të kohës së lirë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›